Brukseli kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, ambasadorja e BE thirrje SPAK t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe të çojë pas hekurave politikanët e korruptuar

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann ja ka bërë edhe një herë të qartë politikës se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Teksa ka komentuar takimin e fundit që zhvilloi me kreun e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani dhe diskutimit për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, ambasadorja Hohmann theksoi gjatë një prononcimi për mediat, se ngritja e institucioneve përkatëse të drejtësisë ka dhënë rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, ajo u shpreh se kush ka shkelur ligjin duhet të japë llogari para drejtësisë, ndërsa shtoi se pret rezultate konkrete nga SPAK. “Institucioni i SPAK-ut dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme ishte vendimtare dhe është ende një element vendimtar për reformat e shtetit ligjor që po vazhdojnë në këtë vend, sepse kjo është një Prokurori e përkushtuar, që është këtu për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kemi parë rezultatet e para në punën e tyre. Ajo që ne presim tani, është ajo që në gjuhën evropiane e quajmë historik, në mënyrë që të kemi punë të vazhdueshme dhe trajtimin e këtyre çështjeve që nuk janë zhdukur ende në vend. Pra, për ne është shumë e rëndësishme që askush të mos jetë i imunizuar ndaj tij, pra çdo person të jetë i barabartë para ligjit dhe kjo do të thotë gjithashtu hetime për korrupsion dhe krim të organizuar. Unë nuk kam ndonjë ide paraprake të ndonjë hetimi që ata bëjnë, sepse gjyqësori është i pavarur, por çështja është se ata janë të përkushtuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në këtë vend, sepse kjo është një nga betejat më të mëdha që duhet të bëjmë, veçanërisht korrupsionin”, deklaroi ajo.

Situata politike në Shqipëri

Më tej diplomatja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann u pyet se pse nuk u takua zyrtarisht me kreun aktual të Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj kur erdhi në Shqipëri. Hohmann tregoi se ato ndërveprojmë me deputetët që janë vendimtarë, veçanërisht për procesin e integrimit evropian. Hohmann vuri theksin te mungesa e një opozite të fortë për të luajtur rolin e saj në kontrollin dhe balancën e pushtetit. “Jo, çështja është se ne ndërveprojmë me ata deputetë që janë vendimtarë, veçanërisht për procesin e integrimit evropian. Pra, që është Komisioni për Integrimin Evropian dhe gjithashtu Këshilli Kombëtar, me të cilët kam shumë ndërveprim dhe është shumë e rëndësishme t’i kemi të gjitha partitë aty, sepse nëse dëshironi të keni një demokraci të gjallë, gjë që, në fakt, është ajo për çka përpiqemi në demokraci, jo vetëm që ju duhet qeveria dhe shumica, por gjithashtu keni nevojë edhe për sistemin e kontrollit dhe balancimit, që do të thotë një opozitë e fortë, që në të vërtetë mund të udhëheqë, me shumicën, debatet për qasjen më të mirë, cilat janë idetë më të mira. Dhe kjo është ajo që, natyrisht, pa komentuar betejat e brendshme në partitë politike, mungon për momentin. Nuk kemi një opozitë të fortë për ta luajtur atë rol të kontrollit dhe balancimit në Parlament”, u shpreh ajo.

BE paketë me 80 milionë euro për investime në Shqipëri

Ndërkohë zyrtarja e lartë e BE, Christiane Hohmann ka deklaruar se vendi ynë do ketë mbështetje në lidhje me mbështetjen energjitike. Ajo bëri të ditur se ndihma do të jetë e madhe për ndërtimin e një fushë me panele diellore mbi një liqen në veri të Shqipërisë. Po ashtu, ajo theksoi se ndihma që do të japë BE do ketë shifrën e 80 milionë eurove. “Vetëm tani kemi një paketë 80 milionëshe ndihmë direkte financiare për Shqipërinë që do të shpërndahet në dy ditët në vijim për kriza energjetike dhe kjo është e mundur për të ndihmuar në mbajtjen e çmimeve të manaxhueshme për qytetarët dhe gjithashtu për biznesin e vogël dhe shumë të cenueshëm. Pra, kjo është mbështetje për vetë qeverinë. Pastaj kemi zhvillimin e projekteve. Pra, kemi një fushë diellore që po zhvillohet në fakt në një liqen, pasi nuk po përdoret për asgjë tjetër. Mund ta vendosni në liqen, nuk keni nevojë të përdorni tokë të punueshme. Pra, ky është një projekt që është rreth 12 milionë euro, por kemi edhe të tjerë dhe ka disa investitorë që janë në këtë fushë, sepse është një përpjekje e përbashkët”, nënvizoi ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann.