Celibashi i propozon Metës datën 6 mars për zgjedhjet e pjesshme vendore

Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se i ka propozuar Presidentit Meta që të jetë data 6 mars dita kur mund të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashkitë e vendit. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Celibashi shprehet se kjo datë është më e mundshmja edhe në aspektin ligjor.

“Komunikova sot me Presidentin e Republikës për datën e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki. Bisedova me Presidentin që mundësisht të konsiderojë datën 6 mars 2022 si datë të zhvillimit të zgjedhjeve. Si një nga datat e mundshme sipas ligjit kur mundet të zhvillohen zgjedhjet, data 6 i jep pak më shumë kohë KQZ në përgatitjen më të mirë të mundshme të këtij procesi zgjedhor”, shkruan Celibashi në Twitter.

Qendrimi i Celibashit u bë publik pas takimit me Presidentin Meta. Ky i fundit priti në Presidencë edhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, ndërsa ka munguar prania e demokratëve.

Meta ka nisur procedurat për dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashkitë që nuk kanë kryetar. Ai e njoftoi këtë nismë në një konferencë për shtyp javën e shkuar.