Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur me termin, Vetting ka për qëllim ngritjen e një sistemi rivlerësimi tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim rritjen profesionale të tyre, luftimin e korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Ai është menduar të realizohet nga tre komponentë:
1) Evidentimi real dhe individual i nivelit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe marrjen e masave përkatëse për rritjen e nivelit profesional të atyre që kanë mangësi ose largimin nga sistemi i drejtësisë të atyre që janë tërësisht të paaftë dhe dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe sjellin pasoja të pariparueshme për të drejtat e njeriut.
2) Evidentimi real dhe individual i pasurisë së vendosur në mënyrë të paligjshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e shtrirë jashtë kufijve të Shqipërisë kontrollin e pasurive të tyre.
Megjithëse deklarimi dhe kontrolli i pasurive të kësaj kategorie bëhet prej vitesh në Shqipëri, për shkak të pengesave ligjore dhe institucionale nuk ka qenë e mundur që pasuria e tjetërsuar ose e regjistruar në emra të personave të afërm ose të lidhur me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të zbulohet nga autoritetet shqiptare.
3) Evidentimi i elementëve konkretë të lidhur me krimin e organizuar, duke rritur mundësinë e kontrollit të lidhjeve të dyshimta edhe jashtë territorit të Shqipërisë por edhe me anë të mjeteve të përdorura nga shërbimet e specializuara për këtë qëllim.
Ama ky proces ka rezultuar i dështuar në identifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kjo duket qartë nga skandalet që dëgjojmë vazhdimisht duke nisur që nga anëtaret e KPK-së si dhe për faktin se kokat e krimit në drejtësi akoma nuk janë ndëshkuar.