Dështoi në zgjedhje/ Jozefina Topalli jep dorëheqjen 

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi largimin nga drejtimi i partisë, “Lëvizja Për Ndryshim” pasi nuk arriti që të merrte asnjë mandat në zgjedhjet e 25 prillit.

“Lëvizja për Ndryshim nuk ia doli për t’u bërë faktor në keto zgjedhje. Por unë dëshiroj të falenderoj stafin, sejcilin prej kandidatëve që sfiduan klasën politike aktuale; te falenderoj te gjithe ata që besuan.

Duke u larguar nga drejtimi i kësaj Levizje uroj që njerëz patriotë dhe të pakorruptuar të vazhdojnë Lëvizjen për reformimin e se djathtës shqiptare”, shkruan Topalli.

Ish-nënkryetarja e PD krijoi partinë 6 muaj më parë, ndërsa lëvizja e saj u konsiderua si një patericë në ndihmë të Kryeministrit Edi Rama. Kjo edhe për faktin se disa individë, që kanë mbajtur pozicione në PD u angazhuan në krijimin e partive të reja, ose vetëofrimin e tyre si kandidatë nën siglat e disa partive.

Partia e Topallit në rang vendi mori rreth 7 mijë vota, në Tiranë mori 1703 vota, dhe vetë ish-kryeparlamentarja mori vetëm 390 vota.

Ndërkohë në Shkodër, që konsiderohej si bastion i lëvizjes së Topallit, kjo parti mori 1389 vota, megjithëse edhe këtu Topalli renditej si kryesuese liste. Vetë ish-Kryeparlamentarja në Qarkun e Shkodrës mori 589 vota.

Një tjetër qark ku lista kryesohej nga Topalli ishte ai në Durrës, ku partia e drejtuar prej saj mori 335 vota dhe ish-kryeparlamentarja 50 të tilla.