Një tjetër rast i trafikimit të emigrantëve është goditur nga Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX që patrullojnë në kufirin e gjelbër bashkë me shërbimet shqiptare.
Edhe këtë herë, në pranga ka rënë një i ri nga Bangladeshi, i cili akuzohet se në episode të ndryshme ka sjell emigrantë nga vendet e treta drejt Shqipërisë. Këta shtetas pritej të vinin në vendin tonë si krah pune, por në fakt janë kthyer në trafikant emigrantësh. Ky është rasti i disatë që të rinj nga Bangladeshi marrin përsipër futjen e emigrantëve në kufirin shqiptar.
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet e Frontex-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në afërsi të fshatit Dervician, ndaluan shtetasin M. H., 32 vjeç, banues në Bangladesh.
Ndalimi i tij u bë pasi, në vijim të operacionit “Muzgu”, nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në periudha të ndryshme, ka transportuar emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, nga kufiri i gjelbër me Greqinë në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 250 euro për person”, njofton Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.