Dyfishohet çmimi i qepës, flasin tregtarët dhe ekspertët: As në ’97 nuk është shitur me 150 lekë, s’janë orientuar fermerët

Çmimet e fruta-perimeve kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Dyfishim të çmimit ka pësuar qepa, e cila për fermerët është diçka pazakontë. Në tregje tregtarët thonë se nga 70-80 lekë që ka qenë qepa e vendit shitet prej afro dy muajsh në 150 leke, ndërsa qepa e kuqe nga 90-100 lekë në 170 lekë. Tregtarët thonë se rritje kanë pësuar edhe karota, brokoli dhe lulelakëra. Sipas tyre, kjo rritje çmimi lidhet me mungesën e prodhimit në fusha, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe se një vit më parë prodhimi ishte shumë e lartë dhe fermerët u detyruan ta hedhin. Për të mos pësuar humbje ata janë detyruar të prodhojnë më pak e për pasojë çmimet të jenë më të larta. Këto çmime pritet të jenë të tilla deri në daljen në treg të qepës së njomë. “Prej 2 muajsh qepa shitet me çmim dyfish më të lartë seç është shitur më parë. Qepa shitet me 150 lekë, nga 80 lekë që shitej më parë! As në ’97 nuk është shitur me 150 lekë”, u shpreh dje një tregtare. Po ashtu, reagim dha edhe një tjetër tregtar. “S’ka punë fare. Është bërë shumë keq. Çmimet janë rritur, pensionistët s’kanë lekë, rinia ka ikur. Disa çmime janë rritur, por nuk ka punë, nuk ka lekë, nuk ka të ardhura vetëm pensionistë janë, nuk u dalin lekët për ilaçe! Gjysma e popullatës ka ikur! Qepa dhe karota është ngritur më shumë”, u shpreh një tjetër tregtar. Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku në një intervistë televizive ditën e djeshme u shpreh se rritja e çmimit ka ardhur si pasojë e mungesës në tregun vendas dhe se fermerët nuk kanë qenë të orientuar për kultivimin e tyre. “Është një boshllëk në tregun vendas, për arsye se nuk është kultivuar ajo sipërfaqe që ka qenë një mesatare vjetore. Ka edhe një lloj mos orientimi të mirë të fermerëve. Nëse ajo qepë do të grumbullohej në ambiente frigoriferike ne do të kishim një çmim tjetër. Fermeri kërkon orientim më të mirë. Ne kemi rreth 800 shoqata që operojnë në bujqësi por nuk shohim se cili është aksesi që ato kanë ndaj fermerëve”, u shpreh Pilku.