Ndonëse nuk e ka përmendur me emër, mesazhi më i fundit i ambsadores Yuri Kim duket se i adresohet Sali Berishës i cili 3 ditë më parë sulmoi diplomatët duke thënë se po ushtrojnë presion te Apeli për vendimin e 11 dhjetorit. Kim bën thirrje që t’i jepet fund kërcënimit të organeve të drejtësisë, pasi reforma po jep rezultate.
“Rama dhe diplomatë të huaj po i bëjnë presion gjyqtarëve të Apelit për padinë e Enkelejd Alibeajt për statutin e 11 dhjetorit”….ishte kjo akuza e Sali Berishës në 12 prill, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokratë…Kjo akuzë e fortë ka marrë edhe përgjigjen nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, e cila e ka akuzuar se po pengon Reformën në Drejtësi me kërcënime, shantazhe e shpifje! Teksa Berisha tha se për akuzat e tij ka prova, Kim i përgjigjet në të njëjtën monedhë. Ajo ia ka bërë të qartë se është në dijeni të të gjitha këtyre veprimeve të fshehta që po bën Berisha kundër Reformës në Drejtësi për të cilën SHBA ka investuar shumë fort, ndonëse nuk e ka përmendur me emër, në asnjë rreth të reagimit të saj.
Kim i bën thirrje të gjithë atyre që kërcënojnë organet e drejtësisë t’i japin fund sulmeve e shpifjeve, teksa shtoi se Reforma në Drejtësi po jep rezultate, ndonëse vijojnë përpjekjet e kundërshtarëve për ta minuar. Ajo theksoi se Presidenti Joe Biden e ka bërë të qartë që lufta kundër korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara, dhe se SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Ndërsa reforma në drejtësi po fillon të prodhojë gjithnjë e më shumë rezultate, kundërshtarët po shtojnë përpjekjet për të minuar elementët kryesorë, përfshirë Vettingun. Ata që angazhohen në kërcënime, frikësim, shpifje, nxitje korruptive duhet të ndalojnë. Veprimet tuaja nuk janë aq të fshehura sa mendoni.