Edi Rama distancohet nga Fatos Tushe: Asnjë i akuzuar nga drejtësia, nuk do ketë mbrojtje nga Partia Socialiste!

Kryeministri Edi Rama reagon për operacionin anti-korrupsion në Lushnjë, ku u arrestua kryebashkiaku i PS Fatos Tushe dhe disa persona të tjerë. Sipas Ramës, as Tushe dhe asnjë person tjetër i akuzuar nga drejtësia, nuk do kenë mbrojtje nga PS.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan kryeministri Rama.

Forcat Speciale RENEA dhe tre furgonë të FNSH-së kanë zbarkuar sot në zyrat e Ndërmarrjes së Pasurive Publike, të shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Aty janë shoqëruar disa persona dhe kryebashkiaku Fatos Tushe pasi kjo Ndërmarrje ndodhet në godinën e Bashkisë.

Nga informacionet që vijnë nga Lushnja, bëhet me dije se ky operacion anti-korrupsion koordinohet nga SPAK dhe dyshohet se kemi të bëjmë me disa akuza që lidhen me tenderat dhe shpërdorimin e detyrës.