Forcat Speciale RENEA dhe FNSH operacion blic në Nikël, ka disa persona të shoqëruar: Aksioni koordinohet nga Tirana

Forcat Speciale RENEA dhe FNSH janë duke zhvilluar një operacion blic në zonën e Niklës, në Fushë Krujë në këto momente. Mësohet se në ndihmë të Forcave RENEA, atje kanë shkuar dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt nga Tirana dhe Fieri.

Nga operacioni janë 5 persona të shoqëruar. Identiteti i tyre nuk bëhet ende me dije.

Ndërkohë, për shkak të rëndësisë së lartë të operacionit, ai po drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Tiranë. Zona e Niklës ka qenë disa herë në fokusin e operacioneve të Forcave Speciale pasi aty ka disa grupe kriminale që veprojnë në vendin tonë.

Në fokus të këtij operacioni sipas burimeve, është goditja e veprimatarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sera, magazina, objekte të braktisura dhe terrene të pyllëzuara janë duke u kontrolluar imtësisht nga Forcat Speciale.

Drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është duke ndjekur vetë operacionin, bashkë me Tonin Vocajn dhe Gjovalin Lokën.

Përmes informacioneve të sigurara në rrugë operative nga Policia e Shetit, nga monitorimi ajror si dhe nga të dhënat e Guardia di Finanza, në këtë zonë janë evidentuar parcela të mbjella me kanabis sativa. Pritet që vetë Policia të japë më vonë njoftim zyrtar për operacionin dhe të shoqëruarit.