“Gjëja më e keqe është të jesh mjek në këto rrethana”/ Tmerri brenda spitaleve ku u dyndën pacientët e plagosur nga tërmeti, mes tyre foshnja e fëmijë. Doktori rrëfim rrëqethës

“Vështrimi në sytë e këtij fëmije më preku me të vërtetë” thotë Dr Ahmed al-Masri.

“Nuk e di pse, por sapo më pa ai, unë fillova të qaja”.

Kishin kaluar më shumë se 30 orë pas tërmetit shkatërrues të së hënës në Turqi dhe ai ishte i rraskapitur.

Ai dhe vetëm një mjek tjetër po kujdeseshin për shumë njerëz të plagosur që po silleshin në spitalin në Afrin, një qytet në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita.

Në një moment, mbërriti Mohamedi shtatë vjeçar, i cili ishte nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së tij të shembur.

Ekipet e shpëtimit e gjetën djalin të shtrirë pranë trupit të babait të tij, i cili ishte shtypur për vdekje nga banesa së bashku me nënën dhe vëllezërit e motrat e tij.

“Mënyra sesi djali po na shikonte, e ndjeva se ai na besonte, ai e dinte që tani ishte në duar të sigurta,” më thotë Dr Masri në një telefonatë në Zoom, shkruan gazetari i BBC.

“Por unë ndjeva gjithashtu se ai kishte shumë forcë, sikur të mbante dhimbjet e plagëve të tij. Çfarë e bën një fëmijë shtatëvjeçar kaq të fortë?”

Dr Masri është një kirurg rezident në Spitalin Al-Shifa, i cili mbështetet nga Shoqëria Mjekësore Siriane Amerikane (SAMS), një organizatë bamirëse. Ai thotë se ka trajtuar më shumë se 200 pacientë menjëherë pas katastrofës.

Një tjetër i mbijetuar i sjellë nga ekipet e shpëtimit ishte një djalë 18 muajsh.

Dr Masri e kontrolloi dhe konstatoi se ishte mirë. Por më pas e kuptoi se prindërit e djalit nuk ishin me të.

“Papritur, pashë babain e tij që vrapoi drejt tij dhe e mori duke qarë papushim”, thotë ai.

“Babai më tha se ky fëmijë ishte i vetmi i mbijetuar në familjen e tij. Pjesa tjetër e familjes kishte vdekur.”

Dr Masri thotë se stafi në spital ishte i habitur nga përmasat e katastrofës, ku pacientët mbërrinin të gjithë menjëherë.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që një tërmet mund të krijonte kaq shumë dëme, mund të çonte në këtë numër pacientësh.”

 

Pas tërmetit të së hënës, ai dhe kolegët e tij në Afrin u morën me pacientë që në fillim dukeshin të lënduar lehtë.

“Ishin lëndime që ju mendoni se nuk janë serioze, por dikujt më pas duhet t’i amputohet një gjymtyrë,” thotë ai. “Ne nuk kemi kapacitet në spitalet tona për t’iu përgjigjur kësaj lloj fatkeqësie.”

“Gjëja më e keqe është të jesh mjek në këto rrethana. Kur nuk je në gjendje të shpëtosh një pacient apo t’ia lehtësosh dhimbjen dikujt – kjo është gjëja më e keqe që mund të ndjesh.”

Ndërsa trajtonte pacientët, Dr Masri gjithashtu duhej të luftonte me mendimet nëse familja e tij ishte e sigurt sepse furnizimi me energji elektrike dhe interneti ishin të ndërprera.

Prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij jetojnë vetëm disa qindra metra larg spitalit, por gruaja dhe fëmijët e tij jetojnë përtej kufirit në qytetin jugor turk të Gaziantep, i cili ishte afër epiqendrës dhe gjithashtu u prek keq nga lekundja.

“Ndjenja më e keqe që mund të keni gjatë krizave të tilla është të mos dini nëse familja dhe të dashurit tuaj janë mirë”.

“Ne i shikonim pacientët me dy sy – njëri për të vlerësuar lëndimet e tyre dhe tjetri për të parë nëse pacienti është anëtar i familjes tonë apo jo.”

Një psherëtimë lehtësimi erdhi kur vëllai i tij nxitoi në spital për të siguruar Dr Masri se e gjithë familja e tij ishte e sigurt. Ai gjithashtu arriti të pushojë pak në spital.

“Kur fjeta në atë moment, thjesht u rrëzova”, thotë ai. “Kishte momente kur më duhej dikush që të më mbante në këmbë që të vazhdoja të punoja”.

Dr Masri thotë se shkoi gjithashtu të kontrollonte Muhamedin të nesërmen dhe e pyeti shtatë vjeçarin nëse e njihte.

“Po, ti je mjeku që më shpëtoi jetën,” u përgjigj Mohammed.