Gjykata Kushtetuese rrëzon pretendimet e Aleancës për Teatrin: Takimi me Sorecën ka qenë i planifikuar

Aleanca për Teatrin ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë, për përjashtimin e kryetares Vitore Tusha, nga vendimarrja për çështjen në fjalë.  Në mesditë, ka ardhur edhe reagimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila përmes një shkrese hedh poshtë të gjitha pretendimet e Aleancës për Teatrin.

Në këtë shkresë, Gjykata Kushtetuese sqaron se takimi mes kryetares së GJK dhe ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca ka qenë i planifikuar. Referuar deklaratës, Gjykata Kushtetuese thotë se gjatë takimit Tusha-Soreca nuk është folur për çështje konkrete.

Më herët, edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi në lidhje me këto akuza , duke i quajtur shpifje dhe të pabazuara.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në përgjigje të kërkesës suaj të datës 30.06.2021, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila është bërë publike edhe në media, duke tërhequr edhe një herë vëmendjen për spekulimet dhe presionet e bëra kohët e fundit ndaj institucionit të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se sipas nenit 12, pika 2/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërise” (ndryshuar me ligjin nr.99/2016), Kryetari përfaqëson Gjykatën Kushtetuese në marrëdhënie me të tretët.

Në ushtrim të kësaj kompetence, Kryetari zhvillon takime me personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Dëshirojmë të theksojmë, pa asnjë ekuivok, se në asnjë prej këtyre takimeve nuk është diskutuar për çështje konkrete dhe nuk është bërë asnjë përpjekje, qoftë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për të ndikuar në vendimmarrjen e kësaj gjykate.

Takimi me Ambasadorin Soreca ka qenë i planifikuar që më parë dhe është zhvilluar në vazhdën e disa takimeve të mëparshme, të cilat kanë pasur në fokus rivënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, mbështetjen e veprimtarisë së saj, si dhe zbatimin e ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri.”