Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Irena Plaku do të përballet të hënën më 21 qershor, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo dhe Alma Faskaj.
Irena Plaku përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Prej vitit 2015, Plaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Në deklaratën për herë të parë në vitin 2010, gjyqtarja Irena Plaku nuk deklaron asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e saj familjare kap vlerën e 9.9 milionë lekëve.
Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 8.2 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 1.1 milionë lekësh, një automjet me vlerë 300 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 236 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.8 milionë lekë, nga të cilat 57 për qind burojnë nga paga e Znj.Plaku dhe 42 për qind nga paga e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një kontratë të deklaruar si ‘kalim të drejtash’ me vlerë 59,878 euro që duket se i referohet blerjes së pasurisë së patundshme, por nuk deklarohet qartë si e tillë.
Si burim për këtë kontratë kanë shërbyer një hua prej 15 mijë eurosh, kursime në të njëjtën shumë si dhe pjesa tjetër prej 29, 878 euro si detyrim, që shlyhet pjesërisht në vitin 2016.