I akuzuar për korrupsion, KLP pezullon nga detyra prokurorin Sali Hasa

Këshilli i Lartë i Pokurorisë ka pezulluar me votim unanim nga detyra Prokurorin Sali Hasën, pasi ditën e djeshme Prokuroria pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, ka caktuar masën “arrest me burg” pë të.

Prokurori i Sarandës Sali Hasa është arrestuar tre ditë më parë me urdhër të kolegëve të tij në Prokurorinë Speciale SPAK, shkruan neësbomb.al. Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, bëhet me dije se hetimet kishin nisur për disa vepra penale, kryesisht “trafik droge” dhe “grup kriminal”, dhe më pas janë zbuluar dy skema të tjera.

Sali Hasa akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ka qenë një dosje që ai kishte në dorë dhe po bënte hetime, e cila “i ka bërë gropën” prokurorit të Sarandës.

Teksa Hasa kryente hetime për Emiljano Miranin, motra e këtij të fundit Elsona Papa i ka shkuar në zyrë dhe i ka dhënë para. Mirani akuzohej për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe pasi prokurori mori paratë, hetimet ndaj të pandehurit të sipërpërmendur u pushuan.

Njoftimi i plotë:

KLP vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.