Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin “Sateliti”, ku kanë përfunduar në pranga tre persona, të cilët dyshohen se i kanë vendosur eksploziv makinës së biznesmenit Gjon Mema në datën 9 shkurt, ku si pasojë mbeti i gjymtuar.
Përmes një njoftimi, polica bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale GJ.C 42 vjeç, E.J 33 vjeç dhe E.J 24 vjeç, të tre banues në Tiranë.
“Pas një pune policore dhe proceduriale të pandërprerë të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur në datë 09.02.2021, ku në rrugën “Silvio Berluskoni”, Kamëz, Tiranë, është tentuar të vritet me ekspoloziv të telekomanduar, shtetasi Gj.M,, i cili si pasojë e shpërthimit ka ngelur i dëmtuar në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bazuar në provat ligjore të sigururara nga puna hetimore dhe veprimeve të shpejta hetimore proçeduriale si dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative në lidhje me këtë ngjarje, nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori Forcës së Posaçme Operacionale në D.V.P Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr.5, Nr.2 dhe Nr.4, Tiranë, Sektori Forcës Posaçme Operacionale dhe Sektori Forcës Posaçme Operacionale për mbështetjen hetimore/kërkimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u finalizua me sukses OPERACIONI POLICOR “SATELITI”.
Në përfundim të veprimeve të para nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje:
Gj.C, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të ‘Rëmbim personi’ ‘Vrasje me paramendim’, ‘Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’.
E.J, 33 vjec, dhe E. J, 24 vjec, lindur dhe banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.