Irani dhe Kina pritet ta nënshkruajnë një marrëveshje kundërthënëse dypalëshe. Detajet e fundit të kësaj marrëveshje, që thuhet se do të jetë në fuqi për 25 vjet, ende nuk janë zbuluar, por pritet që të përfshijnë investimet kineze në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës së Iranit.
Kina është partnerja kryesore tregtare e Iranit dhe treg kryesor për eksportet e Iranit, që janë goditur rëndë nga sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët iranianë kanë thënë se kjo marrëveshje fillimisht ishte propozuar në janar të vitit 2016, kur presidenti kinez, Xi Jinping kishte vizituar Iranin.
Iranianët kanë akuzuar zyrtarët se po fshehin detajet e kësaj marrëveshjeje dhe kanë frikë se me këtë pakt, Teherani do të bëjë shumë koncesione ndaj Pekinit.
Irani viteve të fundit është drejtuar shumë kah Kina, pasi është përballur me presionin në rritje të SHBA-së, që ka izoluar Teheranin.