Ja pse u ulën rastet me COVID

Ditën e sotme në vendin tonë ishin 775 raste të reja me koronavirus dhe 12 humbje jete. Bilanci i të infektuarve në 24 orët e fundit ka shënuar një ulje të ndjeshme krahasuar me ditën e djeshme, por edhe të kaluara ku shifrat kanë qenë alarmante.

Por çfarë ka ndikuar sot në uljen e numrit të personave që janë zbuluar se janë prekur me COVID-19? Përgjigja është e thjeshtë nëse i hedh një sy të shpejtë tabelës me shifrat e të infektuarve në shkurt, që ka qenë një muaj i zi.

Rekordi i infektimeve u arrit në datë 9 shkurt, datë kur u regjistrua edhe numri më i madh i testeve që janë bërë brenda 24 orëve. Sot ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë bërë vetëm 2698 testime, ky është numri më i ulët i tamponëve brenda këtij muaji për 24 orë dhe si rezultat ka ardhur edhe numri i ulët i zbulimit të personave që janë infektuar me sëmundjen.

Pra përgjigja është e thjeshtë, ulja e numrit të testimeve solli edhe uljen e numrit të zbulimeve me infeksion. Shifrat e humbjeve të jetëve nuk kanë pësuar luhatje në javën e fundit. Kapacitetet e spitaleve po shkojnë drejt ezaurimit.