Banesa e vëllait të Enver Stafukës, ishte mbrëmjen e së premtes objekt i një sulmi më tritol. Shënjestër e sulmit ka qenë banesa e Naim Stafukës, vëllai i Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur që prej 2015-ës.
Por çfarë deklaronte Naim Stafuka, vetëm pak muaj më parë në emisionin ‘Në shenjestër’ të gazetares Klodiana Lala, lidhur me rrëmbimin e të vëllait, si edhe kërcënimet e marra pas kësaj ngjarjeje.
Intervista:
Z. Stafuka a mund të na rrëfeni për mbrëmjen e rrëmbimit të vëllait tuaj Enverit?
Po, mund t’ju rrëfehem. Në datën 8 shkurt të 2015, u ula poshtë shtëpisë për të parë një ndeshje futbolli edhe aty me thërret kamerieri, më thotë hajde pak. Shkova aty dhe më tha që para një ore të ka marrë policia vëllain, Enverin sapo ka dalë nga lokali. I thashë përse nuk më kishte njoftuar. Më tha se nuk i dha shumë rëndësi sepse ashtu e kishte menduar ai. I thashë ku e dërguan, me tha kanë ikur këtej poshtë në krahun e Durrësit, në rrugën e Durrësit. Kështu i themi ne këtej. E kanë marrë me një golf gri, me kapuç, me logo policie, po poshtë më tha ishin me rroba civile, jo me rroba policie, vetëm më xhupa të shkruar “Policia”. Sapo ka dalë nga lokali e kanë ndaluar aty kundrejt armës dhe e kanë lidhur, sipas videove që edhe janë shfaqur. E kanë futur në makinë me zor, pastaj e kanë dërguar në drejtim të Durrësit.
Çfarë veprimesh bëtë pas këtij momenti që iu informoi kamerieri?
Menjëherë shkova në polici dhe pyeta oficerin e rojës që ishte aty duke i thënë ka marrë policia Enverin, këtu është? Më tha jo, s’di gjë. I thashë të pyeste ndonjë. Doli shefi i rajonit, e takova dhe ia tregova. Më tha që s’kishin urdhër arresti për atë. Po pyes këtu në Krujë nuk është më tha, as në Fushë-Krujë, pyetëm të gjithë komisariatet e Shqipërisë. Vazhdoi orë pas ore, pyeti shefin e gjithë komisariateve dhe nuk ishte në asnjë vend. Në orën 10-11 e gjysmë pasi pyetëm gjithë komisariatet atëherë shkova bëra denoncim për rrëmbimin e vëllait. Pastaj dola në kërkim.
Mund të më thoni me kë ishte i shoqëruar momentet e fundit para se të rrëmbehej?
Enveri ka qenë në kafen poshtë shtëpisë time. Ka ardhur aty me Durim Bamin, Gentjan Bejtjan, Ramazan Rrajën. Janë futur në kafe, aty kanë nejt njëfarë kohe, 20 minuta a 30 minuta, nuk e kam idenë fiks, por di se në orën 8 afërsisht është rrëmbyer. Dikush e ka marrë në telefon, i ka thënë do vish për të më takuar, ka qenë në Kameras të Krujës, një njeri që quhet Ervis Alla, kjo sipas dëshmitarëve që kanë qenë në tavolinë. Aty ka dalë me shku te ky Ervisi, aty e kanë pritur rrëmbyesit.
Ervisi pse e telefonoi? Përse do ta takonte?
‘Kisha për t’i dhënë 200 mijë lekë të vjetra’ u kishte thënë, me këtë arsye ishte çuar Enveri. Këtë nuk e di, nëse e ka marrë ai në telefon, apo Enveri atë, për këtë nuk jam i sigurt.
Pasi bëtë denoncimin, a i takuat personat e fundit që ishin në kafe me të? A i pyetet se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë ju thanë ato?
I kam taku fill nga ora 10. Kam marrë në telefon Durimin dhe i kam thënë policia pse e ka marrë Enverin. Nuk di gjë më tha. I thashë ku ta gjejmë se nuk është në asnjë vend. Se di më tha, e shohim nesër. Pak më vonë takoj vëllain e vet Valterin, po vinte me një fuoristradë, unë isha me çunin tim të vogël, isha në këmbë, po prisja. E pyeta përse e kishte marrë policia Enverin, më tha që nuk dinte gjë. Gjatë natës kam marr pronarin e dyqanit që është në kat të parë, D.Kanin që ka kamera, ka qenë ora 2 e natës. Ka ardhur ai nga Kruja, unë bashkë me shefin e rajonit dhe një oficer policie kemi hapur kamerat pastaj kemi parë videon e rrëmbimit që aty dyshova se nuk ishte policia. Ato ishin disa persona që ishin vesh me uniformë policie. Aty e vendosa që Enverin nuk e kishte marrë policia. E kishin marrë persona civilë. Në mëngjes erdhi dhe Durimi tek kamerat.
Ju tek kush dyshoni?
Ne dyshojmë tek të gjithë grupi që ka qenë me të kanë dijeni.
A i keni pyetur?
I kemi pyetur
Nuk dimë gjë na thonë, nuk e kanë marrë mundimin për ta gjetur.
Kur është hera fundit që keni pyetur policinë për këtë çështje?
Hera e fundit është para dy javëve, herën e fundit që më ka thirr policia ka qenë tetor 2021.
Për çfarë ishte e interesuar policia?
Nuk kemi shpresa, është një ëndërr që mund ta mendosh.
Pra dyshoni se e kanë vrarë?
Kështu them.
Po për cilat arsye?
Këtë nuk e di, ai nuk ka pasur ndonjë shqetësim, si për shembull ndonjë ngatërresë me ndonjë. Madje një natë përpara ka qenë në një lokal për qefin e tij. Të ishte ashtu që kishte frikë me ik diku nuk dilte nga shtëpia.
Është folur shumë në media të ndryshme për një video që vëllai juaj është torturuar nga rrëmbyesit. A keni dëgjuar ju për një gjë të tillë?
E kam dëgjuar nëpër media që qarkullon një video, tjetër gjë nuk di.