Një kontratë për blerje toke në vitin 2006 e vendos komisioneren e Vetingut, Etleda Çiftja, nën rrezikun për t’u përfshirë nën hetim penal për një sërë krimesh, përfshirë falsifikim dokumentash, deklarim të rremë të pasurisë dhe mashtrim me kredi.
Një hetim i mundshëm penal ndaj Çiftes, mund t’i rrezikojë komisioneres jo vetëm vendin e punës, por edhe lirinë, pasi veprat penale për të cilat dyshohet kanë dënim vetëm me burg, në rast shpalljeje fajtor.
Më konkretisht. Në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë. Ndër të tjera, ajo deklaron se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.
Për këtë pasuri, ajo deklaron si burim financiar 15 mijë euro të kursimeve nga paga si juriste në kompaninë private “Egnatia O. Albania” dhe 35 mijë euro të tjera kredi, të cilën duhet ta shlyejë për 20 vjet, deri në vitin 2026. Deri këtu, nuk duket se ka ndonjë gjë të veçantë. Por, redaksia ka zbuluar kontratën që Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë në vitin 2006 dhe historia ndërlikohet shumë, në dëm të komisioneres së Vetingut.
Sipas kontratës me nr. 2138 Rep, nr. 1490 Kol, dt. 10 Korrik 2016, nënshkruar pranë noteres publike Luljeta Kongoli në Tiranë, rezulton se Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë për vetëm 300 mijë lekë të reja. Pra, kontrata e vitit 2006 shënon si vlerë blerjeje 300 mijë lekë, ndërsa në deklaratën e pasurisë është shënuar vlera 50 mijë euro.
Cila është shifra reale që ka përdorur Etleda Çiftja për blerjen e kësaj toke? Rezultati mund të dalë vetëm pas një hetimi të mirëfilltë penale. Megjithatë, redaksia, me aq të dhëna sa disponon, krijon dyshime të forta për kryerjen e një sërë veprash penale nga personi i zgjedhur nga Parlamenti për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.
Deklarim i rremë
Pavarësisht se kush është shifra e saktë që ka shpenzuar Etleda Çiftja për të blerë sipërfaqen e tokës, në çdo rast ajo ka kryer deklarim të rremë të pasurisë. Zonja Çiftja ka shënuar në deklaratën e pasurisë vlerën 50 mijë euro, e cila nuk përputhet me vlerën reale të kontratës së nënshkruar para noteres Kongoli. Pra, mjafton vetëm kaq që komisionerja të akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë. Por nuk përfundon këtu.
Falsifikim dokumentash
Nga konsultimi i deklaratës së pasurisë dhe kontratës autentike të blerjes së tokës 3440 m2, duket qartë që komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja ka falsifikuar dokumentat. Nga njëra anë është kontrata me vlerën e blerjes 300 mijë lekë të reja dhe nga ana tjetër është kontrata që ka dorëzuar pranë një banke të nivelit të dytë, për blerjen e tokës me vlerë 50 mijë euro.
Fakti provohet lehtësisht edhe me metodën indirekte. Rregullat e bankave të nivelit të dytë parashikojnë se ato mund të disbursojnë deri në 70 përqind të vlerës së pasurisë së paluajtshme objekt i kontratave të shit-blerjes. Nga të dhënat e vetëdeklaruara nga Etleda Çiftja, rezulton se banka ka disbursuar kredinë në vlerë 35 mijë euro, shumë e cila është saktësisht 70 përqind e vlerës 50 mijë euro. Pra, për të njëjtën tokë, Etleda Çiftja ka përdorur të njëjtën kontratë, por me të dhëna tërësisht të ndryshme sa i përket çmimit të blerjes.
Kjo situatë përbën një rast të pastër falsifikimi dokumentash.
Vijojmë më tej.
Mashtrimi me kredi
Komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja, duket se ka kryer edhe një tjetër vepër penale, atë të “Mashtrimit me kredi”. Ajo duket se ka paraqitur në bankë një kontratë me të dhëna të rreme, për të siguruar një kredi prej 35 mijë euro, e cila i është disbursuar në Shtator 2006, pra rreth tre muaj pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes. Me shumë mundësi, qëllimi i vërtetë i marrjes së kredisë, ka qenë diçka tjetër. Pastrim parash?
Për shumë vite, bankat kanë pasur një praktikë të përhapur gjerësisht, në të cilat rimbursonin kredinë edhe 10 ditë deri në dy javë pas nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes. Bankat, pasi bindeshin në vullnetin e palëve dhe siguroheshin që shitësit dhe blerësit do të kryenin transaksionin, e lëvronin kredinë edhe pak ditë pas realizimit të kontratës tek noteri.
Kjo praktikë ndihmonte, sidomos blerësit, të cilit vendosnin kolateral pronën e blerë. Gjithashtu, kjo praktikë ndihmonte edhe bankën në aktivitetin e saj tregtar, për të siguruar kredimarrës dhe, rrjedhimisht, edhe fitim nga interesat e huasë. Por, në çdo rast, kjo praktikë mbyllej për një afat 10-15 ditor.
Në rastin e Etleda Çiftjas, ajo e ka marrë kredinë për blerjen e tokës rreth 3 muaj pasi ka nënshkruar kontratën. Dhe, në kontratë është e shënuar “e zeza mbi të bardhë”; “Blerësi likujdon shitësit totalisht me lekë në dorë jashtë zyrës noteriale”.
Pra, pikëpyetja kryesore është: Në rast se Etleda Çiftja e ka blerë tokën 50 mijë euro, siç duket që është vlera që i ka paraqitur bankës, ku i ka gjetur 35 mijë euro? (për 15 mijë eurot e tjera ka deklaruar si burim punësimin). Në vijim të pikëpyetjeve; në rast se Etleda Çiftja e ka pasur edhe këtë shumë prej 35 mijë eurosh me “burime jo ligjore”, mos ndoshta marrjen e kredisë e ka përdorur si mjet për të “pastruar paratë” pa burim?
Redaksia po investigon edhe disa detaje të tjera, që lidhen me dyshime mbi veprimtarinë e shitësve të tokës 3440 m2 dhe noteres.