Ditën e sotme është goditur një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla dhe i armëmbajtjes pa leje.
53-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, vihet në pranga pasi posedonte lëndë narkotike, armë sportive dhe armë të ftohta në banesë.
Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, një armë sportive, dy armë të ftohta dhe një peshore elektronike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë dhe lëndë narkotike, kanë organizuar shërbimet dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit, në lagjen nr. 4, Korçë.
Forcat e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., kanë gjetur disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, letër alumini e bërë gati për përgatitjen e dozave, një sasi përzierësi, një peshore elektronike, një armë pistoletë sportive, dy armë të ftohta dhe dy suportera kartash Sim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 53 vjeç (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit).