Kthehet për rihetim dosja kundër Firdes Shulit, komisioneres së KPK. Akuzohet se falsifikoi 1 kontratë

Dosja penale që flet për hetimin ndaj komisioneres së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Firdes Shuli, është kthyer për tu rihetuar, pasi sipas gjykatës, prokuroria nuk kishte trajtuar rastin me objektivitet ligjor.

“Ora Neës” mëson se vendimi që urdhëron rifillimin e hetimit ndaj zyrtares së KPK-së, është marrë në 26 janar 2022 nga gjyqtarja e Gjirokastrës, Blerta Çibuku, e cila vendosi të rrëzojë kërkesën e prokurorisë, për pushimin e hetimeve ndaj komisioneres, Firdes Shuli.

Çështja kundër Firdes Shulit, është kthyer në një kohë kur dhe SPAK, është detyruar nga gjykata e Posaçme, të rinisë hetimet ndaj komisioneres tjetër të KPK-së, Brunilda Bekteshi, për akuzën e “Fshehjes së pasurisë” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Njëherësh e njëjta prokurori, SPAK, vendosi këtë javë të marrë të pandehur, anëtarin e Komisionit të Posaçëm të Apelit, Ardjan Hajdari. Tashmë çështja penale kundër Firdes Shulit, është kthyer për tu rihetuar. Ndërsa një nga detyrat që gjykata e Gjirokastrës, i la prokurorit të çështjes, ishte dhe shpallja e moskopetencës dhe kalimit të dosjes në SPAK, për trajtimin e mëtejshëm të këtij rasti të falsifikimit të dokumenteve nga komisioneria Firdes Shuli.

Kjo e fundit akuzohet se gjatë kohës kur ka shërbyer si notere në Gjirokastër, ka kryer falsifikimin e një kontratë shitje të një pasurie prej 35 metra katror. Kontrata, mban datën 15 shkurt 2005, dhe kallëzuesi Fato Myrtaj, pretendon se nuk ka qenë në asnjë moment para noteres Firdes Shuli, për të firmosur kontratën e shitjes së pasurisë së tij.

Gjatë verifikimeve të kryera është konstatuar se e njëjta kontratë e datës 15 shkurt 2015, kishte ndryshime të dukshme, me atë që ndodhej në arkivën e noteres Shuli dhe me atë që ishte dorëzuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër.

Në kopjen që gjendet në ASHK-ë rezulton se kontrata është firmosur vetëm nga Asllan Myrtaj dhe jo nga bashkëshortja e tij, Fato Myrtaj.

Ndërsa në kopjen e sekuestruar në arkivën e noteres Shuli, rezulton se ka firmosur edhe Foto Myrtaj, por çuditërisht emrat e dy firmëtarëve në dy kontrata janë vendosur në mënyrë të ndryshme si pozicionim.

Lidhur me këtë fakt, është marrë në pyetje komisioneria Fildes Shuli, e cila ka deklaruar se në kopjen e dorëzuar në hipotekë mungon emri i Fato Myrtaj, pasi kjo ishte një gabim material, njerëzor i bërë në procesin përfundimtar të legalizimit të kontratës nga ana e saj.

“…si rregull ka qenë që aktet redaktoheshin dhe printoheshin në katër kopje. Ne rastin konkret pas redaktimit te akteve, ato janë printuar dhe i janë dhënë palëve për nënshkrim. Me sa duket, gjatë procesit të nënshkrimit nga palët, akti i paraqitur në hipotekë, nuk është nënshkruar nga Fato Myrtaj dhe ky fakt ka kaluar pa u vënë re nga unë, ndoshta edhe për shkak të ngarkesës në punë…”-e mbyll dëshminë e saj komisionerja e KPK-së, Firdes Shuli.

Nga ana tjetër avokatia e studios ligjore “Jurisprudenca”, Orgesa Serani, që përfaqëson interesin ligjor të kallëzueses Fato Myrtaj, u shpreh se këtu nuk jemi përballë një gabimi njerëzor siç kërkon ta trajtojë Firdes Shuli dhe prokuroria, por përballë një vepre penale që parashikon ndëshkim.