Gazmend Paja, aktori i njohur i humorit është tashmë me bekimin e Ramës, një investitor strategjik në bregdetin e Jugut, pasi kompani e tij ‘Ecotech Energy Services’ së bashku me kompaninë ‘Startek’ do të investojnë në Dhërmi 13.8 milionë euro, që nuk dihet se nga ku e kanë burimin, të paktën nuk ka një sqarim.
Sipas dokumentit që e kemi publikuar, Paja ka përfituar plot 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që si fokus ka turizmin elitar.
Në këtë hapësirë do ndërtohen vila dhe hotel luksoz, që do shërbejnë si vende pushimi për të pasurit e Shqipërisë, ndërkohë që shumica e shqiptarëve mezi shtyjnë muajin.
Ky lajm, se aktori Gaz Paja është një investitor strategjik, bëri bujë të madhe, pasi duket e çuditshme që një aktor, mik i ngushtë i Erion Veliajt, të dalë menjëherë në skenë me një shifër marramendëse për të investuar.
Nisur nga kjo, ka dyshime se investitori i vërtetë nuk është Gazi, por ndoshta personat që Gazit i fërkojnë shpatullat dhe i fusin gruan në punë.
Menjëherë pas lajmit, Gaz Paja reagoi dhe tha se nuk ka përfitar asnjë centimetër tokë nga shteti, por pronat janë blerë dhe investimi do bëhet në bashkëpunim me kompani të tjera, një prej të cilave është edhe “Startek”.
Kompania “Startek” është në pronësi të Lulzim Mehmetaj, edhe ky një njeri i afërt me Erion Veliajn, pasi ka përfituar disa projekte që kanë shumë zero nga pas.
Kompania “Startek”, themeluar në vitin 2012, ka ndërtuar edhe këndin e lojërave në Parkun e Liqenit, projekt i Bashkisë Tiranë, i cili ngjalli protesta nga qytetarët.
Gjithashtu, në 2020 Bashkia Tiranë i dha 1363,5 metër katror tokë publike në Rrugën e Kavajës kompanisë private ‘Startek’ për të ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimesh.
Pas gjithë këtyre shifrash nga taksat e kryeqytetasve, sot kompania “Startek” dhe Gazi po bëhen gati për investimin e jetës, normalisht të përqafuar fort nga Erion Veliaj.