Pas shkrimit të Nju Jork Times, edhe CNN i ka kushtuar një artikull ish agjentit të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare.
“Ish-agjentët e FBI-së të tronditur nga akuzat mbi njërin prej tyre”, është titulli i shkrimit të CNN.
“Bota e agjentëve të kundërzbulimit të FBI-së u trondit muajin e kaluar kur një prej tyre, Charles F. McGonigal, dikur zyrtari më i lartë i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, u padit për shitje të informacioneve tek zyrtarët rusë dhe shqiptarë në këmbim të qindra mijëra dollarëve kesh”, shkruan CNN.
Artikulli i CNN:
Një kontakt shqiptar
McGonigal u promovua për të trajtuar disa nga rastet më të ndjeshme të kundërzbulimit në dosjet e FBI-së, duke përfshirë një hetim për disa anetare të CIA-s që ishin vrarë ose kishin humbur në Kinë. Ai shihej si kompetent, tepër inteligjent dhe punëtor.
Por në vitin 2017, saktësisht një vit pasi ishte emëruar kreu i divizionit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, McGonigal dyshohet se u fut në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në qytet dhe aty mori 80,000 dollarë kesh nga një person që kishte punuar më parë me Inteligjencën shqiptare.
Është një nga detajet më të çuditshme në dy paditë kundër McGonigal, të ngritura muajin e kaluar në Nju Jork dhe Uashington, që përfshijnë akuza për pastrim parash, komplot për të shkelur sanksionet e SHBA kundër një oligarku rus dhe gënjeshtra ndaj FBI-së.
Për gati dy vjet përpara daljes në pension të tij në 2018, Departamenti i Drejtësisë pretendon se McGonigal ua shiti në mënyrë efektive aksesin e tij zyrtarëve të lartë amerikanë, duke u përpjekur të ndërmjetësonte takime për individë nga Bosnja dhe Hercegovina në emër të personit të lidhur më parë me inteligjencën shqiptare.
McGonigal dyshohet se pranoi të paktën 225,000 dollarë për atë ndihmë, të gjitha duke gënjyer FBI-në për aktivitetet e tij, duke përfshirë udhëtimet e shumta në Evropë të paguara nga kontaktet e tij shqiptare dhe të marra pa informuar FBI-në, si dhe një marrëdhënie të fshehtë që ai mbante me Kryeministrin e Shqipërisë.
Pasi doli në pension në vitin 2018, sipas padisë së Nju Jorkut, McGonigal shkeli sanksionet e SHBA-së duke marrë pagesa të paligjshme për të ndihmuar Deripaskën në përpjekjen për të hequr sanksionet e SHBA kundër tij dhe për të hetuar një rival politik në Rusi.
Për disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, sjellja e McGonigal ndërsa ai ishte ende duke punuar në byro është shumë më “e tmerrshme”, siç tha ish-zyrtari i lartë, sesa akuzat kundër tij në lidhje me Deripaskën që u zhvilluan pasi ai kishte dalë në pension.
Veçanërisht shqetësues, tha ky person, është pretendimi se McGonigal bëri që FBI të hapte një hetim penal për një shtetas amerikan, në të cilin personi i lidhur më parë me inteligjencën shqiptare pritej të vepronte si një burim njerëzor – por nuk arriti të zbulonte marrëdhënien e tij financiare me atë person në byro.
“Kjo është tepër serioze, kaq e gabuar – nëse ai ka bërë këto gjëra që ata pretendojnë, nuk është si një zonë gri”, tha ish-zyrtari i lartë i FBI-së per CNN.