Lista e harruar e Vetingut, “Pazari” i KPK me gjyqtarët e Apelit

Lista e harruar e Vetingut, “Pazari” i KPK me gjyqtarët e Apelit

Në Korrik 2018, kreu në largim i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, deklaroi se “gjykatat e apelit rrezikonin shkrirjen” nga Vetingu, pasi shumica absolute e tyre kishin probleme me pasurinë.

Kjo deklaratë tronditi sistemin e drejtësisë dhe nxiti Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që të niste procedurat e vetingut për gjyqtarët në rang Apeli.

Por, pas atij vrulli të parë, KPK e ka ulur shumë ritmin dhe ka “harruar” të përfundojë vetingun për një pjesë të madhe të këtyre gjyqtarëve.

“In-front.org” ka zbuluar se janë gati 20 gjyqtarë Apeli në të gjithë Shqipërinë që nuk kanë dalë në seancë dëgjimore. Për pjesën më të madhe të tyre, shorti është hedhur para dy vjetësh ose edhe më shumë.

Por, kur KPK po merret me ndihmësa ligjorë e funksione të tjera të nivelit të ulët në sistemin e drejtësisë, nuk ka vendosur të merret me ata që janë “peshqit e mëdhenj” të gjykatës.

E gjithë skema duket si një “Pazar” mes gjyqtarëve që janë harruar me Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili ka vendosur të shtyjë sa më shumë të jetë e mundur vetingun e tyre dhe, me shumë mundësi, edhe shkarkimin e tyre.

Nga kërkimet që ka bërë “In-front” del se janë dy gjyqtarë apeli që janë shortuar që në Shtator 2018 dhe që ende nuk kanë dalë në Veting.

Gjithashtu, janë 3 gjyqtarë Apeli të shortuar në 16 nëntor 2018, pesë gjyqtarë Apeli të shortuar në janar 2019 dhe 9 të tjerë, të shortuar më vonë.

Të gjithë këta janë lënë në hije nga strukturat e Vetingut, ndërkohë që shumë prej kolegëve të tyre kanë përfunduar procesin e rivlerësimit në të dyja shkallët, pra në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në praktikën e Komisionit të Pavarur t Kualifikimit, gjyqtarëve dhe prokurorëve u është përfunduar Vetingut në një periudhë gati 1-vjeçare. Ndërsa për këta 20 gjyqtarë Apeli, procesi po vazhdon prej më shumë se dy vitesh dhe ende nuk po i duket fundi.

Kjo mënyrë sjelljeje e KPK-së krijon dyshimet se ajo është “përfituese” e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve të Apelit, një pjesë e të cilëve njihen për “bëmat” në sistemin e drejtësisë.