Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, Prokurori i Përgjithshëm: Deklarimi i pasurive në sistem elektronik nxit hetimin

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka deklaruar se aplikimi për herë të parë i sistemit elektronik të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesave të subjekteve deklaruese do të nxisë një hetim të shpejtë kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë organizuar nga ILDKPKI, Çela u shpreh se shkëmbimi i informacioneve mes dy institucioneve është i rëndësishëm në evidentimin e veprave penale. “Aplikimi për herë të parë i sistemit elektronik të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesave është një hap cilësor në perfeksionimin e instrumenteve ligjore që rrisin efikasitetin e institucioneve përgjegjëse në luftën ndaj korrupsionit. Standardizimi i hedhjes së të dhënave dhe mundësia e përpunimit të tyre në mënyrë optimale ndikon në drejtim të hetimit të shpejtë dhe të plotë të rasteve që lidhen me kallëzimet e ILDKPI-së apo hetimet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

E konsideroj të domosdoshëm vijimin e bashkëpunimit në drejtim të shkëmbimit të informacioneve për subjektet e deklarimit periodik të interesave private në ILDKPKI, me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesave dhe veprave penale të tjera që konkurrojnë me to, ose lidhen me detyrën e subjekteve që kanë detyrim ligjor të bëjnë deklarim periodik. Procesi është mjaft delikat, sepse saktësia e paraqitjes së të dhënave dhe afatet kohore që parashikon ligji mbartin sanksione të natyrës administrative e më tej edhe penale”, tha Çela. Për kryeinspektoren e Përgjithshme të ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari, “ky mekanizëm synon të forcojë regjimin e deklarimit dhe kontrollit të pasurisë, rastet e konfliktit të interesit, si dhe të rrisë transparencën e institucioneve publike”.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, u shpreh se: “Sistemi i ri elektronik i deklarimit të pasurive dhe konfilktit të interesave që u prezantua sot, është një mjet i rëndësishëm për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin midis politikanëve dhe zyrtarëve të lartë publikë. Sistemi i ri do të sigurojë më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri. ‘Ndjekja e parave’ do të jetë tani më efektive, së bashku me monitorimin nga shoqëria civile dhe media”.