Mandat i tretë si kryeministër? Berisha: Jam njeriu i çudirave

Ish-kryeministri deklaroi se pranon të drejtojë Shqipërinë për 4 vite nëse ky do të jetë vullnet i qytetarëve shqiptarë.

TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e përjashtoi aspak mundësinë për të drejtuar Shqipërinë për 4 vite nëse do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për emisionin “A Show”, ish-lideri i Partisë Demokratike në vitet 1991-2013 e quajti veten “njeri që bën çudira”. Ai shtoi se nuk ka ambicie për pushtet, por do të kthehej për të drejtuar Shqipërinë gjithmonë nëse ky do të ishte verdikti i shqiptarëve.

“Një Sali Berishë i tretë do të ketë mirësitë e të parit dhe të dytit në një nivel shumë të avancuar. Nëse duan shqiptarët. Kjo nuk është ambicie pushteti, është një thirrje. Jam njeriu që bën çudira. Besoj në një kabinet të aftë për të zbatuar një axhendë ambicioze”, u shpreh Berisha. 

Në lidhje me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e tij “non-grata”, Sali Berisha bëri me dije se kjo masë nuk do të merrej kurrë nëse Partia Demokratike do të fitonte zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

“Nëse PD do të kishte fituar zgjedhjet ajo masë nuk do të ishte marrë. Vendimi u diktua nga lobimi i Ramës dhe Sorosit, ishin lobuesit kryesorë”, deklaroi ish-kryeministri dhe ish-lideri demokrat Sali Berisha.