Drejtësia e re, akoma në kthetrat e bandave të drejtësisë së vjetër/ Bëhet fjalë për gjyqtaren e Elbasanit, denoncuar me video nga “Pamfleti”, duke bërë aheng në “Living Bar” pronë e bosëve të krimit Çela-Çopja, të cilëve u ka pushuar shumë dosje; dhe është proceduar 4 herë nga Ministria e Drejtësisë për këto afera e të tjera, por është shpëtuar nga Bujar Nishani e Ilir Meta, duke përdorur bandën e Gjin Gjonit e Marsida Xhaferllarit në ish-KLD
Në muajin mars 2018, në formularin konfidencial të integritetit, plotësuar për efekt dekriminalizimi e “Veting”-u; gjyqtarja Pajtime Fetahu ka deklaruar se nuk ka asnjë familjar të afërt, të përfshirë në veprimtari kriminale, ose të ndëshkuar për shpërdorim detyre.
Mirëpo, sipas dosjes që disponon “Pamfleti”, gjyqtarja Pajtime Fetahu, për t’i shpëtuar shkarkimit e përjashtimit nga sistemi i drejtësisë, ka mashtruar qëllimisht institucionet e “Veting” dhe ONM-SHBA, agjencinë që po mbikëqyr reformën në Drejtësi.
Referuar dokumenteve, rezulton se vëllai i saj Arben Halit Kotollaku, shef policie në Lushnje, Elbasan, Pogradec e Sarandë, është përjashtuar përgjithnjë nga Policia e Shtetit, me akuzën për bashkëpunim me grupe trafikantësh në zonat kufitare ku ka shërbyer.
Bashkëngjitur akuzës për favorizim, mos veprim e mos-raportim të veprimtarisë së trafiqeve; vëllai i gjyqtares Pajtime Fetahu, u akuzua dhe për ndikim me presion e korruptim, për lirim trafikantësh të arrestuar, të lidhur me të.
Përjashtimi i vëllait të gjyqtares së preferuar të bandave të vrasësve e trafikanteve të Elbasanit; vërtetohet me Urdhrin Nr.1344/1 prot., datë 11.09.2008, të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, lëshuar mbi bazën e provave të mbledhura nga Departamenti për Hetimin e Krimit të Zyrtarëve të Policisë.
Sipas dosjes, Arben Halit Kotollaku, është ndëshkuar për lidhje me trafikantë, në kohën kur ka qenë me detyrë Shef Sektori dhe Krye-specialist i Policisë Rrugore në Komisariatin e Sarandës.
Gjatë detyrës në këto dy poste, Drejtoria e Hetimit ka marrë informacione dhe ka provuar, se Shefi i Policisë Rrugore e Krye-specialist Arben Kotollaku, ka bashkëpunuar me grupe trafikantësh dhe i ka favorizuar ata të mos gjurmohen e kapen nga anti-krimi.
Pasi është plotësuar dosja me 26 prova, u hartua raporti përfundimtar dhe me Vendim nr. 4, datë 15.09.2008, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e ka përjashtuar përgjithmonë nga Policia e Shtetit; dhe po këtë datë e ka çuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Edhe Komisioni i Apelimit në Drejtorinë e Policisë, me Vendim nr. 8, datë 30.10.2008, ka lënë në fuqi përjashtimin e kallëzimin penal ndaj Arben Kotollakut, vëllai i gjyqtares Pajtime Fetahu.
Provat e përjashtimit të tij, u mbështetën në hetimin e një grupi kriminal, që bënte trafik droge e klandestinësh në kufi, mes tyre dhe femra për prostitucion e fëmijë të mitur me letra false.
Nga përgjimet, rezultoi se kapobanda e këtij grupi Resul Çela, pjesë familjare e bandës kriminale “Çela-Sanxhaktari” të Elbasanit; kishte biseduar disa herë me Shefin e Policisë Rrugore, Arben Kotollaku, vëlla i gjyqtares Pajtime Fetahu, mikesha e bandës “Çela-Çopja-Sanxhaktari”.
Sipas tabulateve, rezultoi se pasi trafikanti e kishte falenderuar shefin e policisë për “nderet” që i kishte bërë; ishin takuar bashkë e kishin rënë dakort në pazar, për ndikimin e tij si shef, që të lirohej një trafikant i bandës “Çela”, i arrestuar nga Policia e Sarandës.
Është në detyrimin ligjor të KLP, ILD e SPAK, të verifikojnë se si dhe cili ose cilët e zhdukën te ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, dosjen e kallëzimit penal që bëri Policia e Shtetit ndaj kryepolicit Arben Kotollaku, vëlla i gjyqtares matrapaze të Elbasanit, Pajtime Fetahu.