Mazhoranca është vendosur në mbrojtje të “non gratës” Sali Berisha. Numri dy i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka dalë hapur ditën e djeshme kundër Gjykatës së Apelit dhe ka deklaruar se Sali Berisha është kryetari i vërtetë i Partisë Demokratike pasi ka mbështetje shumë të madhe tek demokratët, pasi sipas tij pjesa më e madhe e opozitës është rreth “Foltores”. Por me këtë reagim Gjiknuri sapo konfirmoi atë që gazeta “SOT” e ka raportuar prej kohësh, aleancën fluide të kryeministrit Rama me Sali Berishën. Pra edhe pse gjykata e rrëzoi Berishën dhe njohu si PD zyrtare grupin e Alibeajt e Bashës, Damian Gjiknuri shprehet se në terren socialistët e prekin realitetin ndryshe nga sa vendosi drejtësia, duke sfiduar hapur këtë të fundit dhe madje edhe amerikanët që nuk e njohin Sali Berishën si kryetar të PD. “Alibeaj me të tjerët kanë njerëzit e tyre mbështetës. Unë nuk dua t’i zhvlerësoj, por duhet thënë që pjesa më e madhe e opozitës është rreth ‘Foltores’ e Berishës dhe kjo gjë është e dukshme”, deklaroi Gjiknuri. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së nuk pranon që partia e tij të jetë përgjegjëse për gjendjen ku është sot Partia Demokratike. “Është spekulim të thuhet se PS ka futur hundët në gjërat e PD. Ne nuk kemi bërë rregulla që dobësojnë opozitën sepse e ka shumë kollaj me një koalicion dhe mund të konkurrojë”, nënvizoi Gjiknuri. Vetë Partia Socialiste nuk do të bëjë koalicion me asnjë aleat në nivel kombëtar. Ajo do të shkojë e vetme në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa aleanca të vogla lokale mund të bëhen me minoritarët.
Konfirmohet aleanca fluide Rama-Berisha
Pra Gjiknuri i vendosi “vulën” kësaj aleance të fshehtë. Edhe pse Sali Berisha është i izoluar nga të gjithë ndërkombëtarët pas shpalljes non grata, kryeministri Rama vazhdon t’i japë “oksigjen” duke e mbajtur shumë fuqishëm në politikë. Vetë Partia Socialiste deklaroi para një viti se nuk do t’i përgjigjeshin ish-kryeministrit në asnjë reagim të tyre, qoftë edhe në Kuvend, por në fund ndodhi e kundërta. Partia Socialiste me në krye Ramën jo vetëm që sfumoi figurën e Lulzim Bashës duke e kaluar në plan të dytë, por vazhdon ende ta faktorizojë duke krijuar sërish në syrin e publikut se është Berisha lideri i opozitës. Edi Rama e di shumë mirë se rënia e Sali Berishës do të shënonte dhe fundin e tij politik, pasi ata të dy po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Lojërat, pazaret dhe marrëveshjet e fshehta, që ndër vite kanë bërë me njëri-tjetrin, i bëjnë të duken lojtarë të fortë, ndonëse të rrënuar nga hija e skandaleve dhe shpesh herë duke u përpjekur t’iu hedhin hi syve të shqiptarëve. Pa hyrë në thellësi të pazareve të tyre, mjaftojmë të shikojmë thjesht favorizimin që iu bën Rama njerëzve të Berishës duke i shpërblyer me tendera. Lidhjet e tyre të njëjta me oligarkët dihen shumë mirë dhe Berisha edhe pse në vitet e fundit ka paralajmëruar se do të nxjerrë emrat për të dëmtuar kryeministrin nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë. Nga ana tjetër Berisha dhe Rama kanë interes që ta kapin drejtësinë, sepse për ta do të veprojë drejtësia. Të gjithë e dimë se kjo klasë politike është zhytur keq në korrupsion dhe kapje pushteti.
Bashkëpunimi i forte në prapaskenë i Berishës dhe Ramës
Në vitin 2017 Berisha dhe Rama punuan më fortë se kurrë në prapaskenë me qëllimin për të goditur Lulzim Bashën. Këtë gjë e nxori zbuluar skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, ku është përfshirë dhe pala shqiptare. Hapja e kësaj dosjeje ka krijuar një perceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën. Deri dje ish-kryetari i Partisë Demokratike akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha. Në ndihmë të Ramës ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta. Berisha kërkonte të përdorte si mburojë Partinë Demokratike në luftën e tij personale me amerikanët, por edhe ekzistencën e tij në politikë. Nga ana tjetër, Meta ka ndihmuar Berishën për të rrëzuar Lulzim Bashën në mënyrë që në fund të rrëmbenin opozitën. Ramës i interesonte dalja jashtë loje e Bashës, në mënyrë që të ketë përballë Sali Berishën, aleatin e tij “të fshehtë”. Gjithë këto pazare morën fund në 3 mars dhe kjo ishte falë ndërhyrjes së amerikanëve.