Mbërrijnë 38.400 vaksinat e AstraZeneca/ Shkollat do kthehen në pika vaksinimi

Sapo kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” ngarkesa e radhës me 38.400 doza të vaksinës AstraZeneca për Shqipërinë.

Këto vaksina do të përdoren në ditët në vijim për stafin e arsimtarëve në të gjithë vendin.

Në aeroport ka dalë t’i presë vetë kryeministri Edi Rama me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe ministren e Ahëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu: Do kemi një vaksinim në shkolla duke filluar që nesër, do vaksinojmë mësuesit dhe pedagogët. Më vonë pritet të vijë dhe një ngarkesë tjetër e dozave. Janë 16 kuti që do të shkojnë të ruhen në temperatura të duhura.

Rama: Do ta shtrijmë procesin e vaksinimit me shpejtësi në territorin e Shqipërisë duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi ndërkohë shpejt presim një sasi edhe më të konsiderueshme. Janë 60 mijë doza të tjera që do të jenë këtu në prill, ndërsa nga Pfizer na vijnë 30 mijë të tjera po në prill. Do të lehtësojmë sezonin turistik ndërkohë që jemi gati që nesër të organizohemi së bashku me Kosovën për t’i dhënë mundësi mjjekëve të vaksinohen.