Mbi 16 mijë viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit

Koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të rrafshuara në Turqi dhe Siri, ndërsa përpjekjet e kërkimit kalojnë kufirin vendimtar prej 72 orësh.

Autoritet bëjnë me dije se numri i viktimave në të dyja vendet ka arritur në 16 mijë viktima.

Associated Press ka raportuar se numri i përkohshëm i të vdekurve në Siri – i siguruar nga zyrtarë të qeverisë siriane dhe një grup shpëtimi në veriperëndim të vendit të kontrolluar nga rebelët ka arritur në 3,162.

Agjencia turke e fatkeqësive tha më herët të enjten se numri i personave të konfirmuar të vdekur ishte rritur në 12,873 gjatë natës. Kjo do të thotë se numri i përgjithshëm i viktimave nga tërmetet në të dy vendet ka arritur tani në 16,035.

Më shumë se 60,000 njerëz raportohen të plagosur në Turqi dhe më shumë se 5,000 të plagosur në Siri.

Ekipet e shpëtimit po garojnë me kohën që nuk është aspak e favorshme për të nxjerrë të mbijetuar të tjerë nga rrënojat me shume se tre ditë pasi dy tërmete goditën Turqinë juglindore dhe Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Bashkimi Evropian do të organizojë në mars një konferencë donatorësh për Turqinë dhe Sirinë.

Konferenca, e cila do të mbahet në Bruksel, do të mobilizojë fonde nga bashkësia ndërkombëtare për të mbështetur popullin e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit.

Sipas njoftimit të BE-së, qëllimi i konferencës së nivelit të lartë, e cila do të jetë e hapur për vendet anëtare të BE-së, vendet fqinje, anëtarët e OKB-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara, është që të koordinojë reagimin e donatorëve dhe të mbledhë fonde për të mbështetur rimëkëmbjen e këtyre dy vendeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristerson, vendi i të cilit kryeson unionin, u erane dakort për organizimin e kësaj konference.

Von der Leyen tha se janë të tronditur nga pasojat shkatërruese të tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë, dhe se prioritet tani për tani është shpëtimi i sa më shumë jetëve.

“Prandaj, menjëherë është aktivizuar mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së, i cili deri më tani ka dërguar 31 ekipe kërkim-shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende anëtare. Por, ne po u dërgojmë një mesazh qytetarëve të Turqisë dhe Sirisë: BE-ja do të mbështesë komunitetet tuaja, sepse askush nuk duhet të lihet vetëm në tragjedi si kjo”, tha Von der Leyen.

Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.

Shpërthen zemërimi në Turqi ndaj reagimit të qeverisë

Ndërkohë në Turqi kanë shpërthyer pakënaqësitë për reagimin e autoriteteve për përballimin e fatkeqësisë, gjë të cilën e pranoi dhe vetë presidenti Erdogan duke shtuar se katastrofa të tilla nuk mund të menaxhohen ashtu siç duhen.

Autoritetet kanë nisur dhe një luftë ndaj mediave sociale që postojnë lajme të rreme për tërmetin, duke arrestuar dhjetëra persona.

Zemërimi po rritet në Turqi edhe që zbatimi i dobët i rregulloreve të ndërtimit kontribuoi në shembjen e shumë ndërtesave në tërmetet e së hënës.

Rregulloret e ndërtimit u shtrënguan pas fatkeqësive të mëparshme në Turqi, më së fundi në 2018.

Standarde më të rrepta sigurie u sollën gjithashtu pas tërmetit të vitit 1999 rreth qytetit të Izmit, në veriperëndim të vendit, në të cilin vdiqën 17,000 njerëz.

Por në katastrofën e fundit, ekspertët thonë se “amnistitë e ndërtimit” periodike, të cilat ofrojnë përjashtime ligjore për ato struktura të ndërtuara pa certifikatat e kërkuara të sigurisë për një tarifë të deklaruar, kanë kontribuar.

72 orët e para pas tërmetit janë vendimtare

Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, tha Ilan Kelman, një profesor i fatkeqësive dhe shëndetit në University College London.

Por, ky numër mund të ndryshojë ndjeshëm në varësi të motit, pasgoditjeve dhe sa shpejt ekipet e shpëtimit dhe pajisjet mund të mbërrijnë në vendngjarje. Aktualisht, të gjithë faktorët janë kundër këtyre përpjekjeve në Turqi dhe Siri.

Në prag të mbylljes së dritares vendimtare 72-orëshe të enjten në mëngjes, Kelman i shpjegoi agjencisë së lajmeve, AFP, pse kjo kornizë kohore është kaq e rëndësishme.

“Përgjithësisht, tërmetet nuk vrasin njerëz, infrastruktura që shembet vret njerëz”, tha Kelman, i cili ka publikuar hulumtime mbi reagimet e shpëtimit nga tërmetet.

Faktori më urgjent është marrja e kujdesit mjekësor për njerëzit e shtypur nën ndërtesat e shembura “përpara se të vdesin“, tha ai.

Kelman tha se moti është gjithashtu një faktor kyç dhe se “aktualisht, është plotësisht kundër nesh”.

Rajonet e goditura nga tërmetet janë përballur me temperaturat të ulëta, ngrica, shi e borë që nga 6 shkurti.

Rajonet e goditura nga tërmeti janë tronditur nga pasgoditje të pamëshirshme, duke përfshirë një lëkundje masive me magnitudë 7.5 të hënën.

Si gjenden të mbijetuarit?

Ka një sërë mënyrash që ekipet e shpëtimit mund të gjejnë të mbijetuarit e tërmetit, duke përfshirë qentë që nuhasin nëpër rrënoja.

Një ekip i famshëm i qenve të shpëtimit nga tërmeti është duke ardhur nga Meksika në Turqi, bëri të ditur Kelman.

Gjithashtu, robotët dhe dronët po përdoren për të hyrë në hapësira të vogla që janë shumë të rrezikshme për njerëzit.

Pasi të gjendet një i mbijetuar, shpëtimtarët duhet të vendosin se si t’i nxjerrin nga aty.

Mund të nevojiten pajisje të mëdha, si vinça, për të ngritur pllakat e ndërtesave të shembura.

Ndonjëherë është e nevojshme të amputohet një gjymtyrë “e cila është e shtypur nën një shtyllë ose një copë muri”, tha Kelman.