Mjeku i njohur kundër Komitetit Teknik: Ora policore duhet hequr, maskat, një formalizim i vonuar

Uljet e rasteve pozitive me COVID dhe e shtrimeve në spitale janë si rezultat i rënies së transmetueshmërisë së virusit pas vaksinimit masiv të grupit të riskut. Kjo situate epidemiologjike bëri që Komiteti i Ekspertëve të vendosë për lehtësimin e masave anti COVID.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që 1 qershorit hiqet detyrimi i mbajtjes së maskës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por ajo do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e brendshme dhe në transportin urban.

Gjithashtu ora policore shtyhet më 60 minuta ku mbyllja fillon nga ora 23:00-06:00. Klubet e natës dhe diskot do të jenë të mbyllura ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Për t’i diskutuar rreth këtyre masave Gazeta “Shqip” foli me epidemiologun Ilir Alimehmeti. Mjeku u njohur shprehet tha se mbajtja e maskës ka qenë një masë minimale plotësuese me efekt të papërfillshëm në kushtet e mos grumbullimit dhe respektimit të distancës fizike.

“Detyrimi i dënueshëm me gjobë solli një përdorim të përshtatshëm dhe keqpërdorim të tyre (përdorim shumë herë, mbajtje në mënyrë të parregullt, mbajtja e përkohshme sa të kalonte kontrolli), i cili ka potencialin edhe të kthimin në risk shtesë për infeksionin”, thotë Alimehmeti në intervistën e  tij për Gazeta “Shqip”.

Alimehmeti foli edhe për klubet e natës, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura prej më shumë se një viti, shtoi se  “Në kushtet ku ndodhemi aktualisht, mund të rifillojë vlerësimi i mundësisë së hapjes së tyre por ndoshta ka nevojë edhe për pak durim”.

Komiteti vendosi një sërë lirime masash, si zhvendosjen e orës policore me 1 orë dhe heqjen e maskave në ambientet e jashtme. Si ju duken këto vendime, a janë të vonuara?

Për sa i përket heqjes së detyrimit të mbajtjes së maskës në ambiente të jashtme, nga njëra anë ajo gjithmonë ka qenë një masë minimale plotësuese me efekt të papërfillshëm në kushtet e mos grumbullimit dhe respektimit të distancës fizike. Nga ana tjetër, detyrimi i dënueshëm me gjobë solli një përdorim të përshtatshëm dhe keqpërdorim të tyre (përdorim shumë herë, mbajtje në mënyrë të parregullt, mbajtja e përkohshme sa të kalonte kontrolli), i cili ka potencialin edhe të kthimin në risk shtesë për infeksionin.

Faktikisht, në ambientet e hapura, shumica dërrmuese e kalimtarëve nuk i mbante maskat prej shumë javësh, prandaj heqja e këtij detyrimi ishte vetëm formalizim i vonuar i sjelljes të adoptuar tashmë nga komuniteti dhe nuk do të shoqërohet me asnjë efekt rritës të rasteve.

Po ashtu, edhe zhvendosja e orës së lëvizjes së lirë mund të ishte kryer më parë dhe, në këto kushte epidemiologjike që kemi, mund të ishte hequr krejtësisht. Kjo sepse, lëvizja e lirë në ambiente të hapura është që në fillim një risk tejet i papërfillshëm nga njëri krah, e nga krahu tjetër ky risk bëhet shumë më i vogël kur bëhet fjalë për oraret e natës kur shumica dërrmuese e popullatës ndodhet në mënyrë natyrore në shtëpi.

Konceptimi që duhet korrigjuar është çiftimi i nocionit të lëvizjes së lirë me nocionin e hapjes së aktiviteteve, në bazë të të cilit zhvendosja e orareve të lëvizjes është shoqëruar edhe më lëvizjen e orareve të aktiviteteve. Në fakt, fare mirë mund të ishin shkëputur këto elemente njëri nga tjetri, duke mbajtur një orar të caktuar për mbylljen e aktiviteteve, sipas vlerësimeve dinamike, dhe lejimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve pa kufizim, pasi, le të kujtojmë që lëvizja e lirë është e drejtë themelore e njeriut, ndërsa aktivitetet në fjalë jo.

Si mjek epidemiolog mbi çfarë studimesh duhet të niset një komitet ekspertësh në marrjen e masave dhe a janë këto masat e duhura?

Ka shumë indikatorë që duhen marrë parasysh në këtë aspekt. Disa prej më të rëndësishmëve janë incidenca dy-javore për 100.000 banorë, numri i personave të hospitalizuar, numri i humbjeve të jetës dhe trajektoret e këtyre indikatorëve sipas zonave gjeografike përkatëse.

Aktualisht incidenca dyjavore kombëtare është 14 raste për 100.000 banorë, shifër shumë e ulët dhe me prirje rënëse të qëndrueshme. Le të bëjmë një krahasim me Spanjën për shembull, e cila është shquar këtë vit për masat e rrepta të marra prej saj. Sipas ECDC (European Center for Diseases Control), Spanja raporton një incidencë dy-javore me vlerë 139.7, pra 10-fishi i Shqipërisë, dhe ndërkohë orarin e ndalimit të lëvizjes së lirë e ka në orën 24:00 prej disa kohësh dhe po ashtu ka hequr edhe detyrimin e maskave në ambiente të jashtme.

Për më tej, duke qenë se incidenca e mësipërme e Shqipërisë është mesatare kombëtare, duhet të marrim parasysh se në fakt kjo incidencë udhëhiqet nga shifra më të larta në disa bashki më të largëta dhe të vogla si Puka, Librazhdi apo Delvina, ndërkohë që incidencën më të ulët e ka Tirana. Si rrjedhojë, nëse nevojitet një kufizim, ndërhyrja duhet të kryhet aty ku ndodhet problemi dhe jo sërish në shkallë kombëtare, duke marrë parasysh edhe sa ndikon kjo ndërhyrje në zonën përkatëse.

Pra, le të mendojmë, a ka ndonjë efekt vetëm kufizimi i lëvizjes gjatë natës në Pukë dhe Librazhd? Potencialisht jo. Mbështetur pikërisht mbi këta indikatorë dhe arsyetime, kufizimi i lëvizjes së lirë duhet të hiqej krejtësisht, pa e çiftuar me detyrim me hapjen e aktiviteteve.

Pavarësisht se në muajt e fundit maskat nuk janë mbajtur, situata ka qenë e qëndrueshme. Sa ndikim ka maska në përhapjen e virusit?

Siç u përmend edhe më lart, maska në ambientet e hapura në kushtet e mos grumbullimit nuk ka pothuajse asnjë efekt, sidomos në kushtet e incidencës minimale aktuale.

A mendoni se kemi arritur imunitetin e tufës? Në rast se po, rol kryesor ka qenë vaksinimi apo imunizimi natyror?

Imuniteti kolektiv mund të jetë arritur në disa zona dhe grupmosha të caktuara, por në shkallë kombëtare jemi ende larg tij. Po përmend fjalën “mund” pasi nuk kemi asnjë studim të vetëm të seroprevalencës në shkallë kombëtare dhe të dhënat aktuale janë relativisht jo të drejtpërdrejta. Është e kuptueshme që përqindja e imunizimit natyror të jetë më e lartë në zonat urbane me dendësi shumë të lartë banorësh dhe në moshat aktive (18-59 vjeç) për shkak të ekspozimit dhe kontakteve më të shumta që ka kjo grupmoshë, e cila është motori aktiv i jetës ekonomike dhe sociale.

Fakti që shifrat tona janë kaq të ulëta edhe pas një eksperimenti natyror si procesi zgjedhor një muaj më parë, tregon qartë se përqindja e personave që e kanë kaluar sëmundjen është tejet e lartë, shumë herë më shumë se sa të dhënat zyrtare që aktualisht tregojnë se vetëm 4.6% e popullatës është infektuar deri më sot.

Vaksinimi ende nuk ka hyrë fuqishëm në lojë, pasi sipas shifrave zyrtare 269,197 kanë marrë të dy dozat e vaksinës (9.3% e popullatës) dhe 210.592 kanë marrë një dozë të vetme (7.3% e popullatës). Duke kujtuar se imunizimi i ofruar nga vaksina arrihet plotësisht rreth dy javë pas marrjes së dozës së dytë, efekti i vënë re gjatë muajit të kaluar qartësisht nuk drejtohet nga vaksinimi por nga imuniteti natyror dhe përmirësimi i stinës.

Mendonit se janë pub-et vatër infeksioni, pasi kanë më shumë se 1 vit që janë i vetmi biznes që qëndron i mbyllur ndërkohë që, nga ana tjetër, baret, restorantet, urbanet janë të tejmbushur?

Pub-et janë vatër potenciale transmetimi kudo në botë, por po ashtu janë edhe restorantet, baret, urbanet, ambientet e punës me shumë njerëz etj. Patjetër dëmi ekonomik i marrë prej tyre është i lartë dhe duhet të mbështeten financiarisht por duhen pyetur ekspertët e ekonomisë në këtë drejtim.

Në kushtet ku ndodhemi aktualisht, mund të rifillojë vlerësimi i mundësisë së hapjes së tyre por ndoshta ka nevojë edhe për pak durim.

Nëse shifrat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe seroprevalenca flet për përqindje të lartë të personave që e kanë kaluar në mënyrë natyrore sëmundjen, hapja e pub-eve duhet vlerësuar patjetër sapo të jetë arritur vaksinimi me dy doza i të gjithë popullatës >50 vjeç.