Najada Çomo flet për situatën në spitalet Covid: Nuk i bëjnë të gjithë tamponët! Rasti i një 37-vjeçari që po lufton për jetën

Rreth dy vite nga pandemia e Covid-19, Shqipëria po shënon pikun e saj, për sa i përket numrit të të infektuarve për 24 orë.

Doktoreshë Najada Çomo thotë se është në rritje numri i të shtruarve që i përkasin grupmoshave të reja.

Sipas saj, krahasuar me vitin e kaluar situata në spital është më e lehtësuar, por nëse do të kishte më shumë persona të vaksinuar numri i shtrimeve në spital do ishte më i ulët.

“Kemi një fluks rastesh që janë në gjendje stacionare, me një numër pacientësh rreth 130, që ndodhen në spitalet Covid 1 dhe Covid 3. Është një trend, i përditshëm me rreth 20 pacientë, që kërkojnë ndihmë mjekësore. Numri i të shtruarve në spital është e grupmoshave të ndryshme, duke nisur nga mosha 18 deri mbi 90 vjeçare. Për virusin që flitet aktualisht është Omicron, por janë edhe të infektuar të Deltës, edhe pse nuk i bëjmë të gjitha tamponët për të evidentuar specifikisht Delta apo Omicron.” tha Çomo ndërsa theksoi se krahasuar me vitin e kaluar situata në spital është më e lehtësuar.

“Krahasuar me vitin e kaluar situata është më e lehtësuar, sepse është vaksina që e ka kaluar, po bën gati vitin, ka një pjesë popullate të vaksinuar. Por do gjykoja se nëse do kishim një popullatë edhe më shumë të vaksinuar, absolutisht numri i personave të ardhur, për të kërkuar për të qëndruar të shtruar, në spital me Covid do ishte më i pakët” u shpreh Çomo .

Ndërkohë, shefja e infektivit deklaron se numri më i madh i pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar.

“Ajo që unë dua të theksoj është se në spital mbizotërojnë personat, që janë të pavaksinuar. Mbi 95-97% janë persona të pavaksinuar, një 2-3% janë edhe persona të vaksinuar që kanë sëmundje kronike në mënyrë të padiskutueshme dhe që ndonjëherë, sëmundja e tyre kronike mund të bëhet shkak duke kërcënuar jetën e pacientit. Ne kemi parë pacientë me të tëra llojet e vaksinave dhe asnjë vaksinë nuk mund të thuash se është vaksina që të sjell apo nuk të sjell në spital. Me të tëra llojet e vaksinave, na kanë ardhur të sëmurë në spital, pra nuk ka ndonjë specifikë lloji i vaksinës.” u shpreh Çomo.

Mes pacientëve të shtruar, doktoreshë Najada Como foli për një të ri të pavaksinuar, i cili po e kalon rëndë sëmundjen dhe madje u shpreh se ka bërë edhe një dëmtim të trurit.

“Nuk mund të komunikojë për shkak të dëmtimit që ka pësuar në tru, si një prej komplikacioneve të Covid, dëmtimi në sistemin nervor qendror. ka qëndruar për një periudhë të gjatë në shtëpi, në spital erdhi në gjendje të rënduar, dhe pësoi një komplikacion të dytë. Është shumë i ri, 37 vjeç, me një mushkëri shumë të dëmtuar dhe është një situatë mjaft serioze. Duhet të kapërcejë pragun e parë e pas të flasim për rikuperim. Nuk e ka kaluar Covidin, nuk është vaksinuar dhe nuk ka sëmundje të tjera, pra është njeri i shëndetshëm.” tha Como.