Një pyetje për Edi Ramën, kush e drejton Shqipërinë? Gert Mara, nga trafikant droge në lavzhier i kamofluar dhe së fundëmi ka marrë “fronin” e Bashkisë Kuçovë!

Dikur Kuçova njihej si “Kuçova e intelektualëve”, një qytet me histori të pasur arsimore, kulturore dhe me një traditë të fortë qytetarie. Sot, për fat të keq, ajo identitet po zbehet me shpejtësi, duke u zëvendësuar nga një realitet i zymtë ku trafikantët dhe krimi i organizuar kanë marrë komandën. Në vend të profesorëve, mjekëve dhe inxhinierëve që dikur udhëhiqnin me dije dhe integritet, sot kemi figura të inkriminuara që ndërtojnë pa leje, kapin pronat publike dhe drejtojnë qytetin në prapaskenë me mbështetje nga pushteti lokal. Kuçova nuk është më simbol i dijes, është kthyer në një laborator të frikshëm të kapjes së shtetit nga trafikantët e drogës.

Në një vend normal, kur qeveria shpall një fushatë kundër ndërtimeve pa leje, institucionet vendore rreshtohen përkrah zbatimit të ligjit. Në Shqipërinë e vitit 2025, ndodh e kundërta, ndërkohë që në Tiranë, Durrës, Elbasan e Shkodër aksionet kundër uzurpimit të hapësirave publike marrin vëmendje kombëtare, në Kuçovë zhvillohet një ngjarje groteske që tingëllon si një parodi e ligjshmërisë, por është realitet i hidhur.

Në këtë qytet të vogël të qarkut të Beratit, pushteti lokal i ka shpallur luftë vetë shtetit, ndërsa ndërtimet pa leje sponsorizohen hapur nga Bashkia. Dhe në krye të kësaj maskarade politike dhe institucionale është Kreshnik Hajdari, kryetar bashkie që, me arrogancë të paprecedentë, deklaron publikisht “Unë jam Edi Rama i Kuçovës.”Deklarata e Hajdarit, që për disa mund të tingëllojë si një batutë provinciale, në të vërtetë është një manifest i pushtetit të degraduar, që nuk i bindet më as ligjit, as autoritetit të qeverisë qendrore, por vetëm interesave personale, lidhjeve klienteliste dhe marrëveshjeve të fshehta.

Në qendër të qytetit të Kuçovës, në një zonë me rëndësi publike, është nisur ndërtimi i një lavazhi nga një personazh i errët i botës së krimit Gert Mara, i njohur për autoritetet ligjzbatuese si trafikant droge dhe i përfshirë në veprimtari kriminale në jug të vendit. Qëllimi i lejes së shfrytëzimit nuk ishte aspak për hapjen e një lavazhoje, por për kalimin e pronës publike në mënyrë të paligjshme, duke i dhënë trafikut të drogës dhe interesave kriminale kontroll të plotë mbi hapësirat dhe burimet e qytetit. Kjo nuk është thjesht një mashtrim formal, por një strategji e qëllimshme për të kapur institucionet dhe për të mbuluar aktivitetet kriminale nën petkun e ligjshmërisë.

Por nuk është thjesht ndërtimi i një lavazhi problemi. Është simbolika që mbart ky akt, në Kuçovë, krimi jo vetëm ndërton, por ndërton në mes të qytetit, me “bekimin” e bashkisë, me heshtjen e policisë dhe me firmat e zyrtarëve të korruptuar që fshihen pas dosjeve.Ndërtimi ka nisur pa leje, pa dokumentacion, pa asnjë verifikim nga IMT.
Madje, më shumë se heshtje, ka një bashkëpunim aktiv të strukturave vendore, që shfaqet qartë në pamjet që qarkullojnë në rrjet: një furgon i policisë që qëndron i parkuar fare pranë ndërtimit pa leje, pa reaguar, pa hetuar, pa ndalur asgjë. Burime lokale flasin për një pagesë prej 3 mijë eurosh, të ndarë në “hise” mes shefit të Komisariatit të Policisë Kuçovë dhe drejtorit të Policisë Berat. E gjithë kjo ndodh në heshtje, ndërkohë që qytetarët shohin çdo ditë sesi ligji zbatohet vetëm për të dobëtit, ndërsa të fortët ndërtojnë me shpatulla pas murit të shtetit.

Përballë presionit publik, në skenë del Shkëlqim Xhezairaj, zëvendësdrejtori i Policisë Berat, i cili mbërrin në vendngjarje për të kontrolluar situatën. Por Xhezairaj nuk është një emër i panjohur. Ai ka qenë më parë i implikuar në një aferë narkotike, për të cilën ka kaluar vetëm me një “vërejtje” disiplinore dhe nuk u arrestua pavarsisht se ai ishte organizator i këtij kultivimi.
Çfarë bën z. Xhezairaj në Kuçovë? Nuk ndalon ndërtimin pa leje, por konstaton se Gert Mara ka një leje shfrytëzimi për lavazh të lëshuar nga bashkia. Çudia është se për një lavazh duhen të paktën tre dokumente, leja e shfrytëzimit leja e ndërtimit, dhe leja nga baseni ujor Fier. Këto dy të fundit nuk ekzistojnë. Por për policinë, ky detaj nuk ka rëndësi.Në vend që të procedohet ndërtimi pa leje, Xhezairaj vendos të procedojë vetëm për hapjen e një pusi uji, ndërkohë që ndërtesa po rritet çdo ditë si monument i paligjshmërisë.
Dosja e ndërtimit të paligjshëm është dërguar në IKMT Berat, ku drejtues është Amarildo Tafa. A do të veprojë ai sipas ligjit? Apo do të mbyllë sytë për shkak të lidhjeve personale me ndërtuesin pa leje?Burimet flasin për takime të dyshimta midis Gert Marës dhe drejtuesve të IKMT. Pyetja që shtrohet është, Sa para janë dhënë për të zbutur apo zhdukur dosjen? A do të ndihmohet trafikanti nga shokët e tij në administratë?

Tashmë, gjithçka është në duart e Prokurorisë së Beratit. Ajo ka për detyrë të hetojë një çështje ku përplasen interesat e pushtetit lokal, krimit dhe korrupsionit zyrtar. Kreshnik Hajdari, Gert Mara, drejtuesit e IMT, policia lokale dhe figura kyçe të IKMT janë pjesë e një zinxhiri të dyshuar korrupsioni, ku pronat publike trajtohen si plaçkë lufte dhe ku shteti funksionon si garanci për krimin.Nëse prokuroria nuk vepron, atëherë ky nuk është më një skandal i Kuçovës, por skandali i një shteti që është dorëzuar përfundimisht përballë krimit të organizuar dhe abuzimit me pushtetin. Nëse një kryetar bashkie shpallet “Edi Rama i Kuçovës”, ndërton pa leje, shpërndan prona publike tek trafikantët dhe sfidon hapur qeverinë, atëherë lind pyetja, A do të veprojë Edi Rama? A do ta shkarkojë Kreshnik Hajdarin? A do të urdhërojë hetimin e policisë së Beratit, ndalimin e Gert Marës dhe procedimin e zyrtarëve që kanë bërë pazare me dosjet? Apo do të kalojë edhe kjo ngjarje si shumë të tjera, me një status në rrjetet sociale, një buzëqeshje ironike në konferencë, dhe një fasadë të re të lyer në ndonjë bashki tjetër?

Amarildo Tafa pritet të përballet me arrest për manipulimin e kësaj dosjeje, një zhvillim që hedh dritë mbi thellësinë e korrupsionit dhe lidhjet e ngushta mes institucioneve lokale dhe grupeve kriminale në Kuçovë. Si drejtues i IKMT-së në Berat, Tafa ka qenë përgjegjës për verifikimin dhe miratimin e dokumentacionit të Gert Marës, trafikantit të njohur të drogës, duke lënë që abuzimet me pronat publike dhe ndërtimet pa leje të vazhdojnë pa asnjë pengesë. Arrestimi i tij do të jetë një provë e fortë për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke treguar nëse janë të gatshme të godasin korrupsionin në nivelet më të larta dhe të mbrojnë ligjin, apo nëse do të vazhdojnë të mbeten peng i politikave dhe interesave kriminale që po shkatërrojnë besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës.

Çështja e caktimit të masës së arrestit në burg për trafikantin Gert Mara mbetet një nga pyetjet më të nxehta të momentit për qytetarët e Kucovës. Duke marrë parasysh gravitetin e akuzave dhe faktin se ai dyshohet të jetë i përfshirë në një rrjet kriminal që kontrollon hapësirat publike dhe bashkëpunon me strukturat lokale të pushtetit, pritshmëritë janë që drejtësia të veprojë me vendosmëri. Megjithatë, historia e fundit në vend tregon një model të shmangies së përgjegjësisë për individë me lidhje politike dhe kriminale të thella. Nëse prokuroria dhe gjyqësori do të jenë të pavarur dhe të guximshëm, masa e arrestit në burg për Gert Marën duhet të jetë e pashmangshme, duke dërguar një mesazh të fortë kundër kapjes së institucioneve dhe pandëshkueshmërisë së krimit. Përndryshe, çdo vonesë apo lehtësim do të forconte akoma më shumë ndjenjën e padrejtësisë dhe impunitetit që mbizotëron në këtë rast.