Operacioni ‘Shpirti’, prokurori i Vlorës sërish në GJKKO, kërkon zëvendësimin e masës “Arrest shtëpie”

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, emri i të cilit u bë i njohur gjatë operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, e i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, i kërkon Gjykatës së Apelit të Posaçëm ndryshimin e masës “Arrest në shtëpi” ndaj tij.

Sota kërkon në Apel që të shfuqizohet kjo masë dhe të zëvendësohet. Kërkesa e tij do të shqyrtohet nga gjyqtarja Saida Dollani. Kujtojmë se gjatë operacionit “Shpirti” u bënë një sërë arrestimesh, mes biznesmenëve të njohur dhe 2 ish-truprojave të ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Emri i Sotës doli gjatë dëshmisë së 2 skafistëve, të cilësuar si të penduarit ndaj drejtësisë.

Ata pretendonin se Sota qëndronte në një apartament me qira në Vlorë, të paguar nga krerët e bandave. Prokurori nga ana e tij i ka mohuar këto zëra, duke shtuar se goditja e tij është e qëllimshme.

MASA E PARE

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, në seancën e zhvilluar më 4 korrik në Gjykatën e Posaçme, ka paraqitur prova, që sipas tij hedhin poshtë dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Donial Drolli, se ai ka pasur lidhje me kreun e bandës për trafikun e drogës, në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Duke i mohuar të gjitha dëshmitë, Sota është shprehur se nuk ka lidhje me Ilirjan Zaimin dhe se nuk ka jetuar në një shtëpi me qira të paguar nga kreu i bandës së drogës.

Ndër të tjera, prokurori ka sqaruar se nuk ka marrë asnjëherë shtëpi me qira, dhe që prej vitit 2010 ka jetuar në banesën e blerë nga vëllai i tij, Ilir Sota, në lagjen “Plazhi i Vjetër” pranë portit të Vlorës.

Prokurori ka paraqitur në seancën e GJKKO-së edhe certifikatën e pronësisë së apartamentit të vëllait, dokument i siguruar edhe nga “Panorama”. Gjatë seancës për njohjen e masës së sigurisë, prokurori i ka konsideruar deklaratat e rreme, duke kërkuar revokimin e masës “Arrest shtëpie”, vendosur ndaj tij. Ai rendit të gjitha faktet që sipas tij vërtetojnë të kundërtën.

PRETENDIMI

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, ka sqaruar në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës se: “Nga muaji gusht 2012 deri në 01.01.2015 nuk kam qenë në ushtrim të detyrës dhe as prezent fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, vërtetuar kjo me të dhënat e sistemit TIMS apo me Lejet për shkëputje të përkohshme nga puna të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm.

Po kështu, gjatë gjithë vitit 2015 kam qenë i komanduar në pozicionin e Këshilltarit Ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme, provuar kjo me Urdhrat e komandimit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Referuar të dhënave të përshkruara në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor, rezulton se aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike të këtyre personave ka filluar që në vitin 2014, ndërkohë që unë nga muaji gusht 2012 deri në dhjetor 2015 nuk kam qenë në ushtrim të detyrës së prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe as kam qëndruar fizikisht në qytetin e Vlorës”.

Marr nga Panorrama.al