Pas Pikesë, radhën e ka babai i tij! Shakira thumbon ish-vjehrrin e saj me këngën e re

Këngëtarja e njohur, Shakira ka publikuar së fundmi këngën e saj më të re, të titulluar “El Jefe” (Shefi) dhe megjithëse flet për klasën punëtore dhe shfrytëzimin e tyre, fillimisht fansat aluduan se teksti ishte dedikuar ish-partnerit të saj Zherard Pike.

Mirëpo duket se nuk është kështu pasi një frazë të këngës, artistja ia ka kushtuar ish-vjehrrit të saj.

“Ëndërron të largohesh nga vendbanimi, ke gjithçka që të duhet për t’u bërë milioner, shije të shtrenjtë, mentalitet, thjesht të mungon rroga”, këndon Shakira.

“Thonë se nuk ka të keqe që zgjat më shumë se njëqind vjet, por ish-vjehrri është ende këtu dhe nuk ka shkelur në varr”, dëgjohet në këngë.

Në këtë pjesë të videos, kërcimtarët tentojnë t’ia mbyllin gojën Shakiras, sikur të duan që ajo të mos e përmendë.

Duke qenë se babai i ish-futbollistit, Hoan, është një biznesmen dhe menaxhon kompanitë e djalit të tij, disa e kanë lidhur kontekstin e këngës me këtë dhe kanë vënë në pikëpyetje nëse është e mundur që ish-vjehrri i këngëtares t’i shfrytëzojë punëtorët e tij siç pretendohet në tekst.