Pastrim parash dhe bingo pa liçencë, zbulohen 4 akuzat për biznesmënin Alban Dabulla

Katër akuza zyrtare janë ngritur nga prokuroria e Tiranës ndaj biznesmenit, Alban Dabulla, i cili prej disa ditësh është larguar nga Shqipëria, duke ju shmangur një hetimi financiar që bën fjalë për mospagimin, e mbi 3 milion euro në arkën e Tatim-Taksave.

Mësohet se ndaj pronarit të kompanisë “Telebingo”, rëndon akuza e “Mospagimin e Taksave dhe Tatimeve”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Organizimi i llotarive të palejuara dhe pa liçensë”. Kjo pasi, nga hetimet e kryera ka rezultuar se, Alban Dabulla, ka vijuar aktivitetin e llotarisë “Telebingo”, për një afat 8 mujor duke mos pasur asnjë miratim license nga organet përkatëse.

Sipas kësaj akuze, Dabulla, që tashmë është vënë nën hetim dhe në ditët në vijim pritet të meret i pandehur, ka ushtruar aktivitet tregtar dhe ka krijuar të ardhura në një kohë kur, liçensa e tij kishte përfunduar.

Por ajo që është më e rënda, Dabulla, djali i ish-deputetes së PS, Arta Dade, dhe i lidhur ngushtësisht me klanin e Erjon Veliajt, akuzohet edhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Mësohet se mes personave të akuzuar nga prokuroria e kryeqytetit është dhe administratorja në hije e kompanisë “Telebingo”, Nekilda Sulaj. Ndërsa zyrtarë të tjerë që janë vënë nën hetim në total janë 20 persona, ku 4 vetë janë nga Agjensia e Monitorimit të Lojrave të Fatit.

Mes emrave që prokuroria i akuzun si pjesë të skemës mashtruese janë, Dyrmish Rruka, Gerta Avrami, Klodian Dervishaj e të tjerë. Personat janë ekspertë kontabël, ndërsa lista që kanë përgjegjësi penale, vazhdon me zyrtarë të Tatimeve dhe AMLT-së në Tiranë.

Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës, ju drejtua me një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj 20 personave të përfshirë në këtë skemë kriminale për shmangien e detyrimeve tatimore.

Por gjyqtarja, Oltjona Goxha, në dhënien e vendimit refuzoi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i thënë “JO” arrestimit të biznesmenit, Alban Dabulla dhe 19 personave të tjerë.

Ndërsa prej disa ditësh, prokuroria por edhe tatimet, kanë vendosur sekuestron preventive për kompaninë “Telebingo”. Shkak është bërë nisja e hetimeve me dyshimet për evazion fiskal. Përmes këtij veprimi, organi i akuzës nuk lejon tjetërsimin e aksioneve, por dhe nuk lejon ndërhyrjen për përpunimin e të dhënave në server.

Megjithatë procesi hetimor, lejon funksionimin normal të subjektit. Kjo masë shtrënguese për kompaninë “Telebingo”, që është vendosur tashmë nga prokuroria e Tiranës, është e dyta e këtij lloji. Pasi për të njëjtën kompani ku pronar është,

Alban Dabulla, në datën 25 tetor 2021, është vendosur një masë e dytë siguruese nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara e Rajonit Qendror.