Adil Aliko, babai i Alban dhe Arbion Alikos, biznesmen i njohur në Gjirokastër, është ndaluar nga Policia në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Prokuroria e Gjirokastrës në kudaër të operacionit “Mezhgorani” e cila ka në fokus ngjarjen e ndodhur muaj më parë ku u përfshi dhe botuesi i njohur Henri Çili ka urdhëruar ndalimin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që Aliko është ndaluar nga Policia e Gjirokastrës pas tentativave të vazhdueshme për të liruar nga burgu dy djemtë e tij, por është liruar më herët.
Biznesmeni dyshohet se i ka paguar qindra mijëra euro dhe sipërfaqe toke botuesit Henri Çili, që ky i fundit të ndërhynte te një magjistratë i lartë për të ndryshuar vendimin.
Arbion Aliko dënuar përjetë për vrasjen e efektivit të RENEAS Ibrahim Basha, kurse i vëllai i tij Albani, është dënuar me 17 vite e 6 muaj burg.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër
Vijon operacioni “Mezhgorani”, vihet në pranga një person i shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”, i finalizuar në muajin shkurt të vitit 2020, u ndalua një prej personave të shpallur në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër u kap dhe u ndalua shtetasi A. A., 52 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.