Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e rasteve për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Njoftimi i Plotë
Kontrolle të vazhdueshme nga Forcat “Shqiponja” dhe “Shigjetat”, në të gjitha rrugët e kryeqytetit, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo shpërndajnë lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve u evidentua dhe u godit një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kanabis dhe një mjet prerës, vihen në pranga poseduesit e tyre.
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri ose shpërndajnë lëndë narkotike, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat” kanë vijuar me kontrollet e befasishme në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë kontrolleve në bulevardin “Gjergj Fishta”, Forcat “Shqiponja” kanë ndaluar për kontroll një mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Bukurosh Suçi, 35 vjeç, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi B. S., 35 vjeç, në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë nga specialistët e Komisariatit Nr. 2, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu, si rezultat i këtyre kontrolleve, nga Forcat “Shigjetat”, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Toni Shquti, 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në çantën e krahut dhe në banesën e tij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shpërndarje, dhe një mjet prerës (thikë).
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.