Protestat në fshatin Lumas, avokati: Burimi i Sinecit zonë e mbrojtur, policia të distancohet nga dhuna ndaj banorëve

Protestat e banorëve të fshatit Lumas në Kuçovë vijojnë çdo ditë. Ata kërkojnë që të mos ndërtohet ujësjellësi pranë burimit të Sinecit, pasi është zonë e mbrojtur.

Avokati i çështjes, Arben Llangozi, e ka cilësuar si të paligjshme marrëveshjen e lidhur mes kryetarit të bashkisë së Kuçovës dhe firmës që do të merret me ndërtimin e ujësjellësit.

Ai gjithashtu, i bën thirrje policisë që të ndalë dhunën ndaj qytetarëve, duke shtuar, se banorët po kërkojnë një të drejtë të tyre.

“Në këtë njësi administrative sipas Bashkisë Kuçovë është duke u zhvilluar një projekt që ka vlerën e 4.2 milionë euro. Bashkia Kuçovë i është drejtuar ujësjellës kanalizimeve për të bërë një investim në këtë zonë. Në këtë shkresë, kryetari i bashkisë ka mashtruar hapur institucionet shtetërore duke pretenduar që në këto fshatra ka mungesa të theksuara të ujit të pijshëm. Ndërkohë pretendon se në vitin 2017 ka qenë si projekt për zhvillim, por është lënë. Arsyet e lënies së këtij projekti kanë qenë jo arsye të ndryshme siç pretendon kryetari bashkisë.

Por ka qenë fakti që kjo kompani nuk është zhvilluar sepse komuniteti s’ka qenë dakord. Veprimtaria kriminale e kryetarit të bashkisë, vijon më tej. Kryetari i Bashkisë Kuçovë në asnjë moment s’ka marrë mendimin e komunitetit. Mendimi i tyre është marrë në 2017-ën, por edhe asokohe, banorët s’kanë qenë dakord. Koordinatat kur fillon punimi është burimi. Kryetari i bashkisë, janë duke e shkatërruar këtë monument natyre. Ne kemi marrë 5 ekspertë që kanë konstatuar që dëmtimet janë të mëdha në këtë kanion dhe do të na vënë në dispozicion akt-ekspertimet përkatëse të cilat vërtetohen që ky monument natyre është cënuar. Leja e dhënë për këtë pronë është më datë 14.10.2020 dhe s’është marrë miratim nga Ministria e Mjedisit.

Edhe pse kjo VMN ka fiktivitet brenda, i kanë lënë në detyrë bashkisë të mos cënojë zonat e mbrojtura. Ajo që është më absurde është që në zbatimin e këtij projekti ku merr pjesë edhe Policia e Shtetit. Kjo e fundit ka mision ruajtjen e sigurisë civile, nuk përcaktohet që policia duhet të ruajë shoqëri private. Në këtë rast, policia është kthyer në duart e krimit të organizuar. Duke qenë se Policia e Shtetit ka dhunuar dhjetëra banorë, nga ana jonë i është bërë thirrje qytetarëve, që të mos ushtrohet dhunë ndaj punonjësve të policisë.

I bëjmë thirrje punonjësve të policisë të mos dhunojnë banorët, sepse janë shumë banorë të dëmtuar. Nuk mund të funksionojë që një dhunues policie të dhunojë në mënyrë kriminale, nuk është i shkruajtur në asnjë ligj dhe nen që policia duhet të përkrahë raste të tilla flagrante. Në vendimmarrjen e saj Prokuroria e Beratit ka konstatuar që Policia e Shtetit ka cënuar në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve”, tha Llangozi. Ballkan web