Strategjia e spitaleve psikiatrike me “dyer të hapura” ka funksionim të pjesshëm në zinxhirin e saj, pasojat e të cilës bien mbi kurrizin e familjarëve të të sëmurëve me probleme të shëndetit mendor, të cilët mbeten përgjegjësit e vetëm për kurimin e tyre. Në sistemin shëndetësor janë aplikuar në total 79 raste të “trajtimit të pavullnetshëm” dhe në 80% të tyre referimet kanë ardhur nga familjet dhe jo nga institucionet e specializuara komunitare si Qendrat e Shëndetit Mendor, mjekët e familjes apo Shtëpitë Mbështetëse. Ndërkaq, në institucionin e veçantë të “Shën Kollit” në Lezhë gjenden 438 persona me “masë mjekësore”. Krahas mbipopullimit në nivelin dy herë më të lartë dhe mungesës së trajtimit të specializuar sipas çrregullimit psikik, gjendja e tyre vijon të rëndohet pasi ato qendrojnë në të njëjtin institucion izolimi me të paraburgosurit e tjerë.
Në Qershor të vitit 2017 qyteti i Durrësit u trondit nga një vrasje e dyfishtë në fshatin Xhafzotaj. Leonsjo Nika, në atë kohë 29-vjeç qëlloi me çifte prindërit e tij, Ali dhe Jenije Nikaj, në hyrje të shtëpisë ku banonin. Shkak për vrasjen, sipas dëshmisë së parë të të riut, ishte konflikti me të atin, i cili “nuk i kishte dhënë para për tu nisur, e rikthyer drejt Italisë”. Pas dy muajsh Gjykata e Krimeve të Rënda zëvendësoi masën nga arrest me burg në “shtrim të përkohshëm në një spital psikiatrik” duke urdhëruar mjekim të detyruar për të. Vendimi i gjykatës, mbështetej në aktin e ekspertimit psikiatrik-ligjor, i cili konstatoi se i riu vuante nga “diagnoza e çrregullimit psikotik, i paspecifikuar, sëmundje që i ka dëmtuar gjykimin dhe ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor”. Sipas arsyetimit të gjykatës kushtet e rënduara psikike kanë çuar të riun në kryerjen e vrasjes.
Shtatë vite më pas, në një distancë prej shtatë kilometrash në vijë ajrore, duket sikur ngjarja përsëritet, por fatmirësisht pa viktima. Në fshatin Rubjekë të Shijakut, një 35-vjecar, ishte kthyer nga Italia pak para Vitit të Ri. Gjatë qëndrimit pranë familjes, Eduart Hoxha kishte shfaqur shqetësime të shëndetit mendor. Nën shoqërinë e një familjari, ai vajti për kurim pranë një hoxhe. Gjendja shëndetësore e tij u agravua. Mëngjesin e 18 Janarit, në kushte të rënduara psikike, i riu kërcënoi babain e tij me thikë e sëpatë. Njoftimi në kohë i policisë nga ana e të atit dhe ndërhyrja e forcave RENEA sollën neutralizimin e Eduart Hoxhës dhe shmangien e një tjetër tragjedie familjare.
Menjëherë pas ndalimit, babai Bajram Hoxha kërkoi publikisht lirimin nga burgu të djalit të tij dhe dërgimin në një institucion spitalor për tu kuruar, pasi ai vuante nga probleme të shëndetit mendor. Pasi dëgjoi palët dhe shqyrtoi rastin, Gjykata e Durrësit caktoi masën e “shtrimit të përkohshëm në një spital psikiatrik”, duke vendosur dërgimin e 35-vjecarit në burgun e Shën Kollit në Lezhë.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit, Bajrami tregon se “Eduarti ka jetuar prej 18 vitesh në Itali dhe ka shfaqur prej kohësh shqetësime. Për këto probleme që ka patur ai ka marrë edhe qetësues”. 73-vjecari nuk është në gjendje të thotë se çfarë ilaçesh ka pirë por shton se edhe gjykata, pasi vlerësoi gjendjen e tij, e dërgoi të birin për kurim.
Ndonëse më pak të zëshme, drama të tilla familjare që shpesh herë përshkallëzojnë në fatalitet janë prezente në të gjithë vendin. Në gjashtë vitet e fundit janë të paktën 826 rastet kur Prokuroritë në vend kanë kërkuar “masa mjekësore” pas ushtrimit të dhunës prej të sëmurëve, ndërsa tendenca e tyre erdhi në rritje pas pandemisë. Qyteti me numrin më të lartë të këtyre rasteve ishte Lushnja.
Ndërkaq, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në institucionin e veçantë në Shën Koll të Lezhës, i hapur pas mbylljes së burgut famëkeq të izolimit në Zahari në nëntor të 2021, ndodhen 438 persona me “masë mjekësore”, të konfirmuar me ekspertim psikiatrik-ligjor në vendimet e gjykatave, se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Gjendja e rënduar e këtyre të fundit është pikasur nga institucionet vetëm pasi kanë kryer vepër penale, mes të cilave mbizotërojnë dhuna në familje e më pas krimet e tjera të rënda përfshi vrasjet.
Ky fakt, vë në pikëpyetje masat e marra nga qeveria pas kalimit nga regjimi me shtrime spitalore në strategjinë e spitalit me “dyer të hapura”, e cila fut në lojë shumë mekanizma komunitarë, që po rezultojnë pak funksionale, duke ja lënë përgjegjësinë e mjekimit dhe kujdesit të personave me probleme të shëndetit mendor familjeve të tyre.
Strategjia me “dyer të hapura” jofunksionale, shërbimi parësor e qendrat referuan shtatë të sëmurë në gjashtë vite
Prej vitit 2020, në mbështetje të konventave dhe institucioneve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut dhe rekomandimeve të Këshillit të Europës për “parandalimin dhe keqtrajtimin e personave të privuar nga liria”, sikurse ndodhte në burgun e Zaharisë, qeveria shqiptare ndërmori një strategji të re në lidhje me personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Fillimisht u miratua “Strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030” dhe më pas, në mënyrë më specifike dhe “Pani i veprimit për Shëndetin Mendor 2023-2026”.
Qëllimi kryesor i këtyre programeve dhe akteve të tjera ndërinstitucionale të miratuara ishte kalimi nga regjimi me shtretër në spitalet psikiatrike në një shërbim të specializuar të shëndetit mendor me bazë komunitare. Strategjia angazhon një zinxhir të gjatë institucionesh, agjencish, qendrash rehabilituese, organizata të shoqërisë civile dhe familjarë të pacientëve “me synimin e kurimit dhe ri integrimit të shpejtë të tyre në shoqëri”.
Spitalet psikiatrike në Tiranë dhe në Shkodër ishin dy institucionet e para që ofronin shërbimet e shëndetit mendor me shtretër vetëm për raste të rënda akute, ndërsa pacientët me simptoma kronike më të lehta trajtohen në shtëpitë mbështetëse apo qendra”, – thuhet në strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas këtij dokumenti “procesi i reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrikë i zbatuar paralelisht me shtimin e shërbimeve komunitare, e ka çuar në 600 numrin e shtretërve në shërbimet e shëndetit mendor për vitin 2023 nga 900 shtretër në vitin 2000”. Krahas Tiranës dhe Shkodrës “me dyer të hapura” janë dhe spitalet psikiatrike në Vlorë e Elbasan, ndërsa në nivel kombëtar funksionojnë 14 Shtëpi Mbështetëse dhe dhjetë Qendra Kombëtare të Shëndetit mendor, ku në katër prej tyre trajtohen fëmijë dhe adoleshentë.
Kalimi në strategjinë e spitaleve “me dyer të hapura”, vlerësohet pozitivisht nga ekspertet nga pikëpamja sociale dhe mjekësore për rikuperimin e të sëmurëve, por sipas tyre duhen forcuar ende strukturat mbështetëse.
Klodiana Shahaj, Drejtuese e Qendrës Shëndetësore nr. 7, në Laprakë thekson se “synimi i strategjisë është integrimi i individit në shoqëri, ku njëherësh merr mjekim, ka trajtim mbështetës por vijon dhe jetën normale. Ne ende nuk kemi arritur në këtë pikë”. Sipas mjekes “problematika e parë nis të mohimi apo pranimi i sëmundjes nga vetë pacienti sepse ka shumë stigmë shëndeti mendor në shoqërinë tonë”. Shahaj shpjegon se pasi rasti evidentohet dhe pacienti pranon sëmundjen ai shkon te psikiatri i cili e referon në spital, ku mjekohet 4-5 ditë derisa del nga gjendja e rënduar. “Ai merr një mjekim mbajtës që duhet ta vijojë në shtëpi por që përgjithësisht pacienti e refuzon mjekimin ne kushtet e shtëpisë”, – analizon Shahaj, e cila shton se “pacientët janë të evidentuar por problemi është që duhen forcuar strukturat e mesme mbështetëse, qendrat socio-komunitare ku ata të shkojnë dhe mposhtja e stigmës shoqërore për të frekuentuar këto qendra”.
Nga ana tjetër sociologia Marsida Simo, analizon se duhet bërë shumë kujdes që shërbimi komunitar mbi shëndetin mendor të mos kthehet në një barrë vetëm për familjarët: “Patjetër që personat që kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore psikiatrike apo që marrin edhe medikamente do të kishin përmirësime të dukshme kur nuk janë të izoluar brenda katër mureve të një spitali, por sërish rrezikojnë të izolohen brenda katër mureve të shtëpisë nëse ata janë të rrethuar nga jo profesionistë”, – thekson sociologia.
MediaLook ka kontaktuar katër spitalet psikiatrike në rang vendi. Drejtues të dy prej tyre, shërbimit psikiatrik “Xhavit Gjata” në QSUNT në Tiranë dhe ata të spitalit psikiatrik “Sadik Dinci” kanë konfirmuar se në rastet e rënda, kur është parë nevoja për “trajtim të pavullnetshëm” nga 33 pacientë në total përgjatë periudhës Janar 2017 – Gusht 2023, në 79% të rasteve referimet kanë ardhur nga familjarët, të cilët fillimisht kanë njoftuar policinë dhe më pas me ndihmën e uniformave blu i janë drejtuar spitalit psikiatrik, për shtrim të detyruar.
Konstatohet se numri i referimeve nga shërbimi shëndetësor parësor në rang kombëtar, pra nga mjekët e familjes apo mjekët specialist rezulton të jetë shumë i ulët, vetëm 5 raste në afro shtatë vite. Akoma më i ulët është ky referim, vetëm 2 raste nga qendrat mbështetëse komunitare për kurimin e sëmundjeve të shëndetit mendor.
Ndërkaq, MediaLook ka mësuar se përgjatë vitit të fundit në periudhën Janar 2022 – Janar 2023, në institucionin e veçantë të Shën Kollit në Lezhë, janë dërguar nga Gjykatat 89 persona me probleme të shëndetit mendor pasi këta të fundit kanë kryer një vepër penale. Sipas informacioneve rezulton se pjesa dërrmuese e tyre janë për shkak të “dhunës në familje”, pasi refuzojnë të marrin mjekimin.
Sociologia Simo thekson se “strategjia me dyer të hapura nuk duhet kuptuar si një lënie total e përgjegjësisë familjarëve. Këta të fundit në pjesën dërmuese nuk janë të mirë informuar, ose nuk mund të jenë totalisht të aftë t’i përgjigjen nevojave të familjarit të tyre që po trajtohet”.