Rama nga Shkupi: Putini synon gjunjëzimin e Perëndimit

Qeveria shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut po mbajnë këtë të hënë në Shkup një mbledhje të përbashkët.

Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se Rusia, me luftën në Ukrainë, synon të gjunjëzojë Perëndimin dhe te ne ka ardhur tashmë lufta me anë të rritjes së inflacionit.

“Rikthehemi për një tjetër takim të rëndësishëm, një mbledhje të dy qeverive, por në një kontekst krejtësisht tjetër sa i takon situatës në Europë dhe në rajon.

Lufta e Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre në atë zonë, por nga ana tjetër është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar bashkësinë euroatlantike, të gjitha vendet në Perëndim të Rusisë, pjesë ku jemi edhe ne.

 

Lufta nuk ka ardhur me bomba, as me shkatërrime fizike, por me çmimet stratosferike të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe me inflacionin e luftës, i cili ka vënë në vështirësi të gjitha vendet.

S’ka asnjë rrugë tjetër përballimi i sfidave krijimi i sa më shumë sinergjive të reja, kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Në këtë mbledhje të përbashkët të dy qeverive, pritet nënshkrimi i 20 marrëveshjeve dhe memorandumeve.