Raportet: Gjermania do të përgjojë partinë e ekstremit të djathtë AfD

Shërbimet e inteligjencës në Gjermani e emërtuan partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si grup të dyshuar ekstremist, raportojnë mediat lokale.

Partia nacionaliste është tashmë nën mbikëqyrje në disa lande gjermane, por vendimi do të thotë se aktivitetet e saj mund të vëzhgohen në të gjithë vendin.

Megjithatë, deputetët dhe anëtarët e Parlamentit Evropian do të përjashtohen nga çdo operacion.

Shërbimet e inteligjencës nuk i kanë komentuar ende publikisht raportet.

Një zëdhënëse e AfD-së tha se vendimi është “thjesht politik” dhe shtoi se partia e saj do të ndërmarrë veprime ligjore kundër “klasifikimit të pajustifikuar”, shkruan BBC.

Nëse konfirmohet, kjo do të jetë hera e parë në historinë e pas-luftës në Gjermani që një parti politike, me ulëse në Parlamentin kombëtar, merr një emërtim të tillë.

E formuar në vitin 2013, Alternativa për Gjermaninë, që kundërshton Islamin dhe establishmentin, është partia më e madhe opozitare në Parlamentin gjerman.

Popullariteti i saj është rritur në vitin 2015, pasi afro një milion migrantë kanë hyrë në Gjermani.