Rikthehen reshjet e dëborës në disa zona të juglindjes së vendit

Reshjet e dëborës që kanë rënë në juglindje të vendit kanë qenë më të shumta në lartësitë mbi 1000 metra, ku trashësia e borës ka shkuar nga 10 deri në 15 centimetra.

Kalimi në rrugët e fshatrave turistikë të Dardhës dhe Voskopojës është pa probleme edhe për shkak të pastrimit dhe kriposjes së bërë nga firmat që merren me mirëmbajtjen e këtyre akseve rrugore.

Për shkak të reshjeve, ka probleme në qarkullim në aksin Vithkuq-Shtyllë, ndërkohë që vazhdon të jetë i bllokuar në majë të Bigllës aksi Shtyllë-Panarit.

Po ashtu, kalimi në disa fshatra të zonave malore të bashkisë së Korçës, bëhet me zinxhirë. Ndërkohë që në këto fshatra ka pasur edhe ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike.