Prokurori i Vlorës, Saimir Smaka do të përballet sot më 5 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.
Saimir Smaka përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Prej 7 vitesh, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në deklarimin për herë të parë në vitin 2013, prokurori Saimir Smaka nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 1.6 milionë lekëve.
Ai zotëron likujditete bankare prej 1.3 milionë lekëve dhe një automjet të deklaruar në vlerën e 270 mijë lekëve. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 7.9 milionë lekë, nga të cilat 78% kanë si burim pagën e Z. Smaka, 16% të ardhurat e familjarëve dhe mbi 5% nga shitja e pasurisë së luajtshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.
Subjekti Saimir Smaka në vitin 2015 rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të mbuluar shtesën e pasurisë në shumën 380,085 lekë, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit për vitin.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” deklarimin e paplotë për blerjen e një automjeti. Në vitin 2015, subjekti deklaron kontratë kredie bankare me vlerë 312,000 lekë për blerje automjeti, por nuk e deklaron automjetin në rubrikën e aseteve si dhe nuk është e qartë sa është vlera e plotë e blerjes.