Marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po përkeqësohen nga dita në ditë. Javën që shkoi kryeministri Rama shkoi në Mynih të Gjermanisë, ku u mbajt konferenca e përvitshme për çështje të sigurisë. Por teksa të gjithë prisnin që Rama të kishte një vizitë të suksesshme, nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi ai u takua atje me zyrtarët evropianë dhe amerikanët që nuk hynin tek “peshat e rënda”. Shefi i qeverisë si mjeshtër i propagandës që është e “shiti” vizitën e tij në Gjermani si të suksesshme, por në të vërtet udhëtimi i tij në Mynih, rezultoi një dështim. Rama shkoi në konferencën e sigurisë, pas ministres së Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, pavarësisht se e dinte shumë mirë se në konferencën atje “ftesa” ishte vete për ta dhe jo për të. Megjithatë, Rama e shfrytëzoi vizitën dhe takoi disa zyrtarët të “dorës së dytë”, ndërkohë që në finale u “injorua” dhunshëm, pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndonëse ishte prezent atje, refuzoi ta takonte atë, ndërsa preferoi të bisedonte vetëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe “jo me liderin global”, siç i pëlqente ta quanin apo quajnë kryeministrin në Shqipëri dhe jovetëm, lajm të cilin e ndau edhe në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Pra, ky vendim i amerikanëve, është një mesazh i qartë se raportet e tyre me kryeministrin Rama janë “ftohur” dhe si duket në këtë krisje ka ndikuar edhe skandali i fundit, ku dyshohet se shefi i qeverisë shqiptarë është përfshirë në aferën e ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, zëra këto që kanë bërë që Uashingtoni të zëmërohet me kreun e ekzekutivit.
Raportet Rama-SHBA, të ftohta
Sidoqoftë, përfshirja në skandalin “McGonigal”, nuk është e vetmja mëri që amerikanët kanë me Ramën, pasi ky i fundit ka pasur herë pas here fërkime me ta. Shefi i qeverisë shqiptare, ka injoruar disa raporte të Departamentit Amerikanë të Shtetit për Shqipërinë dhe gjithashtu ka lëshuara kritika të forta ndaj diplomatëve amerikanë, veçanërisht me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, të cilës madje pak javë më parë nuk ngurroi t’i kërkonte publikisht: “Të mos fuste hundët në punët e brendshme të Shqipërisë” dhe ndërkohë e krahasoi me Sekretaret e Partisë së Punës, apo edhe u përplase në për kreun e ri të SPAK. Kështu që nisur nga të gjithë këto fakte, një gjë është e sigurtë që sot Rama është totalisht i izoluar. Në Europë dhe SHBA nuk shkel më si politikan që jep shpresë, përkundrazi në çdo takim edhe pse rend pas më të mëdhenjve refuzohet, shmanget dhe i lënë të kuptojë se është i padëshiruar. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Rama ka humbur edhe “simpatinë” e përfaqësuesve të ambasadave të huaja në vend, veçanërisht të SHBA dhe BE-së. Kryeministrit i mungon ajo “përkëdhelje politike” dhe jo vetëm, që shpesh merrte nga diplomatët, çka tregon se nuk i ka punët mirë dhe është në rënie të lirë. Më poshtë gazeta “SOT”, po risjelle për lexuesin disa nga momente që shënojnë krisjen e Ramës me amerikanët.
Rama sulmon dhe nuk njeh Bashën, bashkëpunon me Doshin dhe Berishën
Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Rama mbështeti në prapavijë dyshen Berisha-Meta, pasi së bashku me Tom Doshin dhe Aqif Rakipin, ndihmuan koalicionin “Shtëpia e Lirës” që të fitonte Bashkinë e Shkodrës. Në këtë kontekst, Rama “tradhtoi” amerikanët, sepse u bë bashkë me “non grata”, referuar zotit Doshi, Rakipi dhe Berisha, duke i dhënë kështu ndihmë dhe fitoren e Bashkive të Shkodrës, Rrogozhinës dhe Vorës, akuzat këto që janë artikuluar edhe nga Lulzim Basha. Madje, Rama para se Lulzim Basha të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD, refuzoi ta njihte atë si kryetar të opozitës, deklaratë kjo që detyroi ambasadoren Kim të takonte kreun e Grupit Parlament të PS, Taulant Balla, i cili një ditë pas kryeministrit, deklaroi se njohin Partinë Demokratike të Bashës dhe jo Berishës. Pra kjo ishte zanafilla se si filluan në prapaskenë sherret mes Ramës dhe SHBA.
Kryeministri e krahason ambasadoren Kim me Sekretaren e PPSH
Konflikti u thellua edhe më tej. Më 18 mars të këtij viti, kryeministri Edi Rama e krahasoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me një personazh nga e kaluara moniste, si sekretare e partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. Ky incident ka ndodhur, teksa kryeministri Rama dhe ambasadorja Kim ka qenë prezent në një tryezë, ku Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me universitetin e Miçiganit. Kreu i qeverisë, ironizoi fjalimin e rektorit të UBT-së, duke i hequr paralelizëm me fjalimet që bëheshin në kohën e komunizmit në Shqipëri përballë sekretarit të partisë. Kjo pasi rektori Fatbardh Sallaku, vlerësoi kreun qeverisë për strehimin e refugjatëve afganë, ndërsa nuk i kurseu as lavdërimet, çka ka sjellë edhe reagimin e Ramës. “Na vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo që tha rektori “ju garantojmë zonja ambasadore”. Më kujtoi kohën kur vinte sekretari i partisë dhe i thotë rektori i vjetër ju garantojmë shoku sekretar që ne do punojmë. Faleminderit shumë. Këto kisha unë. Rroftë miqësia shqiptare-afgane”, u shpreh Rama më 18 mars. Pra ky ishte momenti i parë ku kryeministri Rama e nxori përplasjen e fshehtë me SHBA jashtë korridoreve.
Blinken injoron Ramën, vlerëson vetëm ministren Xhaçka
Ofensiva e Ramës kundër ambasadores Kim, nuk zgjati shumë, pasi disa ditë më vonë i është përgjigjur Uashingtoni. Ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i dha një goditje të fortë shefit të qeverisë shqiptare. Të martën e 22 marsit të vitit 2022, diplomati Blinken publikoi një foto nga mbërritja e afganëve në SHBA, teksa me një postim në “Tëitter” ka falënderuar ministren Xhaçka dhe popullin shqiptar për mikpritjen e tyre, por nuk përmendi fare qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ky mesazh i fortë dhe injorues i zotit Blinken kundrejt shefit të ekzekutivit erdhi si kundërpërgjigj e gjuhës aspak diplomatike të përdorur nga ky i fundit ndaj ambasadores Kim.
Kryeministri Rama sulmon DASH
Megjithatë nuk ndalet me kaq, pasi kryeministri Edi Rama sulmoi edhe më 13 prill të këtij viti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ironizoi opozitën, teksa shkroi në rrjetet sociale se paska plasur “peshku” për ato që ata thonë. Gjithashtu Rama deklaroi se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është copy-paste i vitit më parë, ku sipas tij nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit që kaloi. “Paska plasur peshku për një raport vjetor të DASH se Amerika na paska thënë më në fund ato që opozitarët paskan thënë që në fillim! Kush e lexon çdo vit këtë raport e di që është aq shumë copy-paste i vitit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit”, nënvizoi Rama.
Rama akuza ambasadës së SHBA: Po ndërhyni në punët tona
Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim edhe më 21 prill. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë. Kapuni mbas Flamurit të PD, se atë amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. E keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na e trego ne nga çfarë u distancuam ne dhe nga cila duhet që të distancoheni ju. E dimë shumë mirë çfarë bëjmë. Mos na e qani hallin për marrëdhëniet as më Amerikën, as Europën dhe as më shqiptarët. Për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat. Këto lojërat me flamur amerikan, iu bëjnë qesharak”, deklaroi Rama.
SHBA bojkoton tryezën për Amnistinë Fiskale
Në 15 korrik të vitit 2022, SHBA bojkotoi tryezën për Amnistinë Fiskale. Në konferencën që qeveria zhvilloi për të sqaruar të gjitha argumentet pro dhe kundër Amnistisë Fiskale, ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk ishte e pranishme. Nga ana tjetër goditje të fortë nga ndërkombëtarët kryeministri Rama mori dhe nga Gjermania e Franca. Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe homologu i saj gjerman, Peter Zingraf kanë lënë pa fjalë kryeministrin Edi Rama, pasi e kanë braktisur konferencën në momentin që kreu i qeverisë ka nisur të flasë. Barsacq dhe Zingraf ishin të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale dhe kanë dëgjuar të flasë ministren e Financave, Delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një ekspert nga Britania e Madhe, të cilët shpjeguan specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma e qeverisë. Por në momentin që Rama mori fjalën, ambasadorja e Francës i ka bërë një shenjë diplomatit gjerman si për t’i treguar se kishte ardhur koha të çoheshin nga karrigia, dhe në atë moment të dy së bashku kanë braktisur sallën. Largimi i tyre u filmua nga regjia e kryeministrisë për disa sekonda, ndërsa me shpejtësi fokusi u zhvendos te kryeministri, fytyra e të cilit la përshtypjen e një njeriu të shtangur nga veprimi i ambasadorëve.
Edi Ramës “i mbyllen dyert” e SHBA
Gjatë tetorit kanë dalë zbuluar të tjera fakte nga përplasja e Ramës me amerikanët. Kjo gjë u pa qartë gjatë vizitës së kreut të qeverisë në SHBA, ku Rama nuk u prit nga asnjë zyrtar i lartë, përveçse “vodhi” një foto me presidentin Joe Biden, gjatë qëndrimit në selinë e OKB në Neë York. Por ndërsa kryeministri po izolohet nga amerikanë, ministrave të tij u janë hapur dyert, sikundër e tregon vizita e fundit në SHBA e zonjës Olta Xhaçka, por edhe e kryebashkiakut Erion Veliaj. Të dy ata kanë zhvilluar takime të rëndësishme dhe janë takuar me zyrtarët më të lartë në Uashington, Shtëpinë e Bardhë apo Departamentin Amerikanë të Shtetit. Kulmi i takimeve të ministres së Jashtme Xhaçka ishte ai me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, vartësin e tij, Gabriel Escobar dhe Karen Donfried, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë si zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer. Kjo vizitë e zonjës Xhaçka, jovetëm që ka “eklipsuar” Ramën, por tashmë për amerikanët shihet ajo si e preferuar e qeverisë dhe jo kryeministri që është treguar “arrogant” dhe “kryeneç” në raport me me zyrtarët e SHBA. Gjithashtu amerikanët thërritën Xhaçkën me përfaqësuesit e 9 ministrive në 24 tetor, ndërkohë që Edi Ramës i mbyllën dyert e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se ai ka nuk ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar, ndonëse mungesën e tij mund ta justifikojë me arsyetimin se ka pasur axhendë të ngjeshur për shkak të vizitës në Izrael dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Zëvendësimi” i Yuri Kim si ambsadore
Një tjetër përplasje e fortë mes qeverisë dhe SHBA u shënua pak javë më parë. Dhe këtë herë në qendër të vëmendjes u vendos zëvendësimi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim. Kjo procedurë ka qenë gjithmonë një detyrë e Departamentit Amerikane të Shtetit, por kësaj herë ka “ndërhyrë” edhe një institucion që nuk i takon. Stafeta e dorëzimit dhe ndërrimit të ambasadorëve në Shqipëri ka qenë një praktikë e kahershme e DASH, por kësaj here në mënyrë të paprecedentë vendi pritës shpall largimin pa asnjë njoftim nga Amerika duke përdorur si pretekst shkrime në media periferike. Kur në fakt, vetë MEPJ vetëm sa informohet procedurialisht nga DASH për ndryshimin e ambasadorit që caktohet me detyrë në Shqipëri. Kjo situatë lexohet ndryshe edhe si ashpërsim i marrëdhënieve të kryeministrit Rama me amerikanët. Ambasadorja amerikane u shpreh se do të qëndrojë në detyrë më shumë se mandati 3-vjeçar. Nga ana tjetër ishte Zëri i Amerikës që i vuri vulën kësaj situate. Kjo media u shpreh qartë se qeveria shqiptare gaboi pasi mori kompetencat e Senatit.