Tre vëzhgues janë proceduar penalisht në Tiranë, të cilët u pëfshinë në konfliktin që u regjistrua gjatë natës në KZAZ 30 tek shkolla “1 Maji”, ku po zhvillohej procesi i numërimit të votave. Si pasojë u detyrua të ndërpritej edhe numërimi për disa minuta.
Me anë të një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se tre të proceduarit Jugers Mullahi, Oriald Laçi dhe Avni Dushku me detyrë vëzhgues akuzohen për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Sherri mes tyre, ka nisur për radhën e qëndrimit para monitorëve ku bëhet numërimi i votave. Sherri degradoi deri në konflikt fizik pasi vëzhguesit goditën njëri-tjetrin edhe me karrige.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.