Bëhet fjalë për “Marina Vlorë” i cili do të kalojë tek privati për një periudhë 35 vjeçare. Referuar njoftimit të MIE bëhet me dije se në garë morën pjesë tre kompani ku dy të tjerat ishin shoqëria Albavia sh.p.k që ofroi një vlerë investimi në zhvillimin e projektit prej 1.8 miliardë lekësh dhe Gjikuria sh.p.k me një vlerë investimi 22.7 milionë euro.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar dy kompanitë e fundit duke dhënë edhe argumentet. “Shoqëria “Albavia” sh.p.k është skualifikuar sepse nuk ka paraqitur Sigurimin e Ofertës sipas shtojcës nr. 3 të DPK, sipas kërkesës së germës a) pika 1 të pikës 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr. 9 të DPK. Gjithashtu, nuk është dorëzuar i gjithë dokumentacioni i kërkuar në shtojcën nr. 9 të Dokumenteve të Koncesionit/PPP.
Shoqëria “Gjikuria” sh.p.k është skualifikuar sepse nuk ka paraqitur Raportin e auditimit financiar të vitit ushtrimor 2018, (përfshirë opinionin e auditorit), të certifikuara nga një subjekt i jashtëm i licencuar auditi; nuk ka plotësuar kriterin financiar nr. 2 “Kapitali i Vet (totali i aktivit minus totalin e detyrimeve) i vitit të fundit ushtrimor (2019) të jetë të paktën sa 40% (dyzet përqind) e vlerës së investimit të përgjithshëm (pa TVSH) të propozuar nga ofertuesi”; nuk ka paraqitur Dokumente të lëshuara nga institucione financiare të besueshme, këto sipas kërkesës së nënpikës 1.2. “Kapaciteti ekonomik dhe financiar” të pikës 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr. 9 të DPK.
Gjithashtu, nuk ka plotësuar kriterin kualifikues të zërit “Projektim”, pasi nuk ka dorëzuar një Licencë të vlefshme Profesionale, si dhe Ofertuesi nuk ka paraqitur eksperiencë të provuar të dizejnimit dhe shpërndarjes së marinave të klasit botëror që i lejon ata të arrijnë njohjen e industrisë dhe akreditim ndërkombëtar, sipas kërkesës të pikës 3 të nënpikës 1.3. “Kapaciteti teknik” të pikes 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr. 9 të DPK” thuhet në sqarimin e MIE.
MIE shpalli njoftimin për dhënien me koncesion tek privati të një porti turistik në Vlorë ne janar te këtij viti. Vendndodhja e parashikuar e objektit është në qendër te qytetit të Vlorës dhe konkretisht në portin aktual të këtij qyteti i cili është nen administrimin e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë. /Monitor