“Shpresoj të rikuperoj Brozoviçin, ja pse nuk ishte Shkriniar”/ Inzagi: Duam Kupën dhe Derbin

Simone Inzagi është shndërruar në specialist të Kupës së Italisë dhe këtë e ka konfirmuar edhe mbrëmjen e djeshme kur Interi i tij është rikthyer te paraqitjet bindëse.“Ishte një ndeshje shumë e mirë e djemve që qëndruan në garë për 95 minuta duke treguar se e donim patjetër këtë kualifikim dhe duke e marrë atë”, e ka nisur trajneri i zikaltërve konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke vazhduar: “Jemi krenarë që jemi e vetmja skuadër italiane në garë për të gjitha kompeticionet dhe ky është një motiv që na shtyn të punojmë akoma më shumë. Duam ta fitojmë këtë trofe”.

SHKRINIAR DHE DERBI – Trajneri, ama, pavarësisht lumturisë nuk iu shmang dot pyetjeve mbi Shkriniarin, që nuk ishte i grumbulluar për ndeshjen duke shpjeguar edhe arsyen pas vendimit: “Nuk doja që Shkriniar të vendosej në një pozitë të vështirë. E përjashtova për ta lënë të qetë, por e di që nuk do të ketë probleme me të. Është profesionist dhe e di që do të stërvitet në maksimum deri në 30 qershor”.

Padyshim që vëmendja tani në kampin zikaltër kalon në derbin e së dielës, aty ku Inzagi shpreson të rikuperojë Brozoviçin, edhe pse edhe një herë tjetër ka pohuar se kampionati është tashmë në kufijtë e së pamundurës.

“Tani të gjithë do të rikuperojmë energjitë dhe të përgatisim derbin ku shpresoj të kem të gatshëm Brozoviçin. Duam të fitojmë patjetër, por Napoli është i pakapshëm. Kanë qenë ata të jashtëzakonshëm, pasi në çdo kampionat tjetër do të ishim edhe në garë me kaq pikë sa kemi grumbulluar”, deklaroi Inzagi.