Një efektiv i policisë së Dibrës është marë i pandehur nga Prokuroria e këtij qyteti, por pavarësisht komunikimit të akuzës zyrtare, punonjësi i policisë vijon të jetë ende në detyrë.
Bukurosh Zagradi, është vënë nën akuzë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, pasi ka dhunuar duke i shkaktuar dëmtime trupore komshien e tij, shtetasen Emrije Muça.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2020, por tashmë hetimet ndaj punonjësit të policisë janë mbyllur dhe çështja është dërguar për shqyrtim gjyqësor në gjykatë, ku pritet që në datën 15 shtator 2021, palët të përballen në gjykatë.
Ndaj punonjësit të policisë, Bukurosh Zagradi, nuk është marrë asnjë masë për pezullimin e tij nga detyra deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Zagradi vijon të jetë ende në detyrë, duke ushtruar presion dhe ndikuar tek çështja, falë edhe uniformës së Policisë së Shtetit që mban veshur.
Sipas dosjes hetimore, Zagradi është konfliktuar me komshinjtë e tij për shkak se ata në rrugën e fshatit shtruan një pjesë beton, e cila më pas devijoi rrjedhën e një vije uji.
Kaq ka mjaftuar që Bukurosh Zagradi të ushtrojë dhunë mbi Emrije Muçën, duke e plagosur atë lehtë.
Për këtë ngjarje Zagradi është marrë i pandehur. Ndërsa një javë pas ngjarjes së plagosjes së Emrije Muçës, në shenjë hakmarrje bashkëshorti dhe djali i saj kanë plagosur lehtë me thikë punonjësin e policisë Bukurosh Zagradi.
Edhe për plagosjen e tij ka një proces penal në Gjykatën e Dibrës, ku tashmë të dyja palët janë përfshirë në procese gjyqësore.
Nga Elton Qyno