SPAK kërkon konfiskimin e 32 pasurive të Ylli Ndroqit

Hetimet

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se ka përfunduar verifikimet në lidhje me procedimin pasuror datë 21.07.2020, në ngarkim të Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera u evidentuan fillimisht pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, për të cilat Gjykata me vendimin datë 01.08.2020, vendosi sekuestrimin e tyre.

Në vijim, u kryen verifikime të thelluara dhe rezultoi se u evidentuan dhe gjashtë (6) pasuri të tjera të paluajtshme, (truall dhe objekte) me sipërfaqe totale 9232.8 m2 dhe vlerë 186 737 511 lekë, (rreth 1.6 milion euro) të ndodhura në Tiranë. Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 15, datë 03.06.2021, vendosi sekuestrimin e tyre.

Në përfundim të hetimeve pasurore u konkludua se, raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve të Ylli Ndroqit dhe familjarëve të tij, në çdo vit nga 2001, si dhe gjendja e Bilancit përfundimtar të tyre është: Të Ardhurat – 1 048 667 240 leke, Shpenzimet: 1 418 522 446 leke.

Shpenzimet e pambuluara me të ardhura janë: – 369 855 206 leke, ose rreth 3 milion euro.