Spartak Ngjela: Berisha filorus dhe i korruptuar, ‘Foltorja’ financohet me para të dyshimta, ja si Gjykata e Apelit i hodhi në erë 4 planet destabilizuese të Saliut më 3 Mars

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar vendimin e gjykatës së Apelit që i riktheu Partinë Demokratike grupit të Enkelejd Alibeajt, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, zoti Ngjela shprehet se Berisha është filorus dhe i korruptuar, nisur nga fakti që humbjen e gjyqit për legjitimitetin e PD e kanë pasqyruar gjerësisht mediat në Moskës dhe madje ato në Beograd, të cilat siç thotë avokati, janë tejet të mërzitur që kreu i “Foltores” humbi të drejtën e vulës dhe logos. “Gjykata e Apeli Tiranë në datën 3 mars 2023, respektoi ligjin dhe me këtë, e mbajti të paprekur drejtësinë, por njëherësh edhe  historinë e politikës shqiptare, sepse ajo, në vendimin e saj, mbrojti të djathtën dhe shqiptarizmin. Këta janë të katër elementët që kërkoi të shkelmonte Sali Berisha në datën 3 mars 2023: ligjin, historinë e politikës shqiptare, të djathtën shqiptare dhe shqiptarizmin. Prandaj na duhet të themi se, Gjykata e Apelit Tiranë, nuk e lejoi që Sali Berisha të niste rrjedhën antishqiptare në Partinë Demokratike dhe në të gjithë të djathtën shqiptare. Dhe kjo nuk ka qenë një ndërmarrje krejt individuale e Sali Berishës. Kjo kuptohet se ishte një organizim që dilte nga Moska, shkonte në Beograd dhe vinte në Tiranë. Donin ta shkëpusin të djathtën shqiptare nga shqiptarizmi. Prandaj sot shtypi rus ishte i trishtuar për këtë ngjarje, njëlloj si në vitin 2017 kur politika amerikane e forcës shkallmoi çadrën e Saliut që kishte në dispozicion të saj  dhe 270 oficerë rusë”, shkruan ai.

Strategjitë e Sali Berishës dhe roli i SHBA

Më tej Ngjela shprehet se “Foltorja” e Sali Berishës financohet me para të dyshimta, ndërsa zbuloi detaje se si Gjykata e Apelit i hodhi në erë 4 planet destabilizuese të ish-kryeministrit më 3 Mars me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Po, a do ta bënte dot Saliu këtë ndërmarrje nëse do ta merrnin me dhunë të djathtën shqiptare? Duhet të kuptohemi, të gjithë atë luftë që filloi me foltoren e Saliut, e mbante në lëvizje korrupsioni i lartë shqiptar. Ishin krerët e korrupsionit të lartë shtetëror që kërkuan të merrnin me çdo kusht të djathtën shqiptare për ta drejtuar Saliu. Por, Saliu e kishte të djathtën dhe e la, tani pse bën gjithë këtë zhurmë për të rimarrë me dhunë atë që ka pasur dhe e ka lënë? Ai e la PD-në, sepse humbi zgjedhjet e vitit 2013? Por, me anë të kësaj lëvizjeje që në 3 mars i doli e dështuar, Saliu donte të krijonte lëvizjen e tij politike djathtas, që, me forcën e të djathtës shqiptare t’i thosh Uashingtonit  që ai t’ia hiqte dekretin non grata që i ka vendosur. Një mendim politik mediokër ishte ky, por kështu të katandis mendërisht gjithmonë një goditje amerikane që e ka akuzën për korrupsion brenda saj. Madje për të gjithë familjen Berisha”, shprehet ai.

Zgjedhjet e 14 majit dhe mbetja e Berishës pa parti

Ndërkohë avokat Ngjela thotë se Berisha mori edhe dy goditje të forta nga Gjykata e Apelit, sikundër është mbetja pa parti dhe dobësimi në elektorat. “Por, Saliu në fakt, në datën 3 mars, nuk mori një goditje, po dy të tilla: ai humbi përkrahjen popullore që u pa në një numër qesharak protestuesish dhe nuk e mori dot Partinë Demokratike, sepse gjykata nuk ia pranoi kërkesën joligjore që kishte një vit që e ushqente në të gjithë Shqipërinë. Po tani? Tani asgjë. Saliu nuk hyn dot në zgjedhje si PD me kandidatët që ai kërkon t’i nxjerrë fitues. Atëherë? Duhet të këtë ngjarje. Të shohim”, tha ai.

Mesazhi për Celibashin

Nga ana tjetër, po dje në një intervistë televizive avokat Ngjela u shpreh se tashmë Berisha nuk ka parti dhe se nuk mund të regjistrohet në KQZ nën siglën e PD-së, ndonëse ka paralajmëruar se nesër do të dorëzojë kërkesën për t’u regjistruar për zgjedhjet vendore. Ndërsa sa i takon presionit që Berisha i ka bërë KQZ-së duke thënë se s’duhet të luajë me procedurat, Ngjela tha se KQZ nuk mund të bëjë shkelje dhe se sipas vendimit të Apelit duhet të regjistrojë grupin e Alibeajt. Ndër të tjera ai shtoi se kryeministri, Edi Rama është mërzitur që po bie Sali Berisha. “Gjykata e ka kthyer në shkallë të parë. Nuk e kam parë praktikën, por e marr me mend sepse shkalla e parë që i ka dhënë të drejtën këtij, nuk e ka thirrur fare PD që është e regjistruar në KQZ, që është e regjistruar në regjistrin e partive politike. I duket sikur po e gënjen që të marrë forcën. Vendimi i formës së prerë nuk mund të rrëzohet. Tha se do ta bëjë rekurs në gjykatë të lartë. Ku ka parti ai zotëri. Nuk kupton dot ai. Nuk di ai ca është shkalla e parë, e dytë, e prerë. Ai thotë jam unë, siç tha Luigji 14. S’ka më fuqi ai të bëjë më gjë në Shqipëri. Fatkeqësi kombëtare, nuk luan për Shqipërinë. Nuk ka shkuar vula te Alibeaj, nuk ja morën dot. Vulën e kishte Alibeaj. Si e shkel ligjin KQZ, është e pamundur. Rama është mërzitur që po bie Saliu”, nënvizoi Ngjela. Të premten, Gjykata e Apelit i dha një goditje të fortë Sali Berishës, pasi ktheu në Shkallën e Parë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukrit. Në këtë mënyrë në zgjedhje do futet grupimi i Lulzim Bashës i komanduar nga Enkelejd Alibeaj.